Burimet egjiptiane: Izraeli dhe Hamasi të hapur për armëpushim, por mosmarrëveshjet vazhdojnë

Dy burime egjiptiane të sigurisë thanë të dielën se Izraeli dhe Hamasi janë të hapur për një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve, por shtuan se mes tyre vazhdojnë të ketë mosmarrëveshje mbi mënyrën se si do të zbatohej një gjë e tillë.

Sipas të njëjtave burime Egjipti dhe Katari, dy vende që negociuan një armëpushim njëjavor të arritur më parë gjatë të cilit u lirua një pjesë e pengjeve, këmbëngulën në përshpejtimin e ndihmës dhe hapjen e vendkalimit Kerem Shalom, përpara fillimit të çdo negociate.

Po ndërsa kalimi rezulton të jetë i hapur, ata thanë se ndihma po vonohej për shkak të inspektimeve dhe se ende nuk kishte hyrë në Egjipt.

Të shtunën shpresat për armëpushim u rritën, kur një burim tha se shefi i spiunazhit të Izraelit, kishte biseduar të premten me kryeministrin e Katarit.

Hamasi këmbëngul që të jetë ai që përcakton listën e pengjeve që do të lirohen dhe kërkon që forcat izraelite të tërhiqen pas zonave të paracaktuara, thanë burimet për agjencinë Reuters.

Ndërsa Izraeli bie dakord që Hamasi të përcaktojë listën, ai kërkon ta shohë atë, përpara përcaktimit të një kohe për armëpushimin si dhe kohëzgjatjen e tij.

Burimet shtuan gjithashtu se Izraeli refuzon që të tërhiqet.


Shtuar 17.12.2023 22:42