Nga Federico Giuliani “Il Giornale”
Ekziston biznesi i luftës i krijuar drejtpërdrejt nga një konflikti, me kompanitë ushtarake të vendeve ndërluftuese ose bashkëluftuese, të angazhuara për të furnizuar ushtritë e angazhuara në terren me raketa dhe predha me vlerë disa miliardë dollarë.
Por pastaj është edhe faza e rindërtimit të pasluftës, me “tortën” e ndihmës humanitare dhe në heshtje, por gjithmonë veçanërisht e pasur, edhe bumin indirekt të industrisë së luftës. Zakonisht, kur situata është e tensionuar, dhe kur 2 dy ose më shumë vende hyjnë në luftë me njëri-tjetrin, shkaktohet një efekt domino që është i pamundur të ndalet.
Vendet e tjera, pak a shumë të lidhura me 2 sfiduesit në një kohë, dhe që për këtë arsye janë të shqetësuar për përfshirjen e tyre të mundshme në këtë përplasje, hyjnë në një spirale të riarmatimit. Për këtë mjafton që t’i hidhni një sy luftës në Ukrainë, e cila në fakt ka forcuar makinën ushtarake të Rusisë, Kinës, Japonisë, madje edhe anëtarëve të NATO-s, apo ngritjen e vetë Kinës që po e shqetëson të gjithë Azinë.
Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, të raportuara nga “La Stampa”, flasin për një vit 2022 të karakterizuar nga një garë e paprecedentë armatimesh, me një shpenzim prej 2100 miliardë dollarësh. Një fakt është i sigurt: shpenzimet ushtarake botërore vazhdojnë të rriten. Dhe gara e tyre duket se është e pandalshme.
Rritja e shpenzimeve ushtarake
Të gjitha vendet po vrapojnë pas ndjenjës së sigurisë që mishëron riarmatimi. Këtu përfshihen edhe vendet e NATO-s, të cilat një dekadë më parë vendosën kufirin për shpenzimet ushtarake në nivelin 2 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto. Shpërthimi i konfliktit ukrainas e ka përshpejtuar këtë proces.
Por ende sot disa qeveri të Aleancës Atlantike janë larg synimit të paracaktuar, përfshirë Italinë. Po ç’mund të thuhet për Rusinë?
Në periudhën midis viteve 1999-2020, një periudhë e gjatë kohore e karakterizuar nga udhëheqja e Vladimir Putin, Moska i rriti shpenzimet e saj ushtarake me 9.5 herë.Të dhënat për Kinën janë më të pasigurta, edhe pse e sigurt është se Xi Jinping ka zbatuar gjithashtu një program të gjerë të modernizimit të forcave të armatosura, me dëshirën për ta transformuar Ushtrinë Çlirimtare Popullore në një ushtri globale deri në vitin 2049.
Ndërkohë, sipas disa vlerësimeve, shpenzimet e ushtrisë kineze ishin rreth 252 miliardë dollarë në vitin 2020, me një më shumë se 76 për qind krahasuar me vitin 2011.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të shpenzojnë për mbrojtjen shuma të jashtëzakonshme, të cilat e lënë shumë pas Moskën dhe Pekinin. Kështu në vitin 2021, Uashingtoni shpenzoi 800 miliardë dollarë për ushtrinë e SHBA-së.
Gara e armatimeve
Në Evropë jemi dëshmitarë të një tendence të re. Nëse gjatë dekadave të fundit – për të paktën 40 vit e fundit – vendet e NATO-s i kishin ngadalësuar shpenzimet ushtarake, duke rënë nga 3 në më pak se 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, tani ka filluar gara e kundërt.
Në Azi fenomeni i riarmatimit është edhe më i dukshëm. Nga Japonia në Korenë e Jugut, dhe nga Vietnami në Indonezi, duke kaluar përmes Australisë dhe Indisë, nuk ka praktikisht asnjë qeveri që nuk ka ndarë, ose do ta bëjë këtë, shuma të mëdha për sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë.
Le të marrim rastin e Japonisë. Tokio ka porositur së fundmi blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35. Po ashtu ajo i është bashkuar projektit “Tempest” së bashku me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar që synon ndërtimin e një sistemi raketor më të avancuar, si dhe avionëve bombardues strategjikë ultra-modernë.
Sa i përket Italisë, vitin e kaluar Roma arriti një shpenzim ushtarak prej 24.4 miliardë eurosh, ose 1.37 për qind të PBB-së. Një vit më herët, në 2020-ën, ajo renditej në vendin e 102-të nga 147 vende të botës për shpenzimet ushtarake në raport me PBB-në. Pra të dy vitet nën mesataren e BE-së, që është 1.6 për qind, dhe e vendeve të NATO-s, 1.8 për qind.
/albeu.com