Brazili në kaos nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet, numri i viktimave shkon në 46, 21 persona ende të zhdukur

Të paktën 46 persona kanë vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm në Brazilin juglindor, sipas bilancit të fundit, ndërsa shpresat po veniten gradualisht për 21 të zhdukurit.

Shumë nga të goditurit e përmbytjeve tani nuk kanë asgjë dhe do të duhet të fillojnë jetën e tyre nga e para.

Tani është e pamundur që të mbijetuarit të gjenden nën rrëketë e baltës, thanë për AFP zjarrfikësit e përfshirë në kërkim në Juiz del Fora, një qytet me rreth 540,000 banorë, ndërsa meteorologët parashikojnë sërish shira të rrëmbyeshëm deri të premten.

Kujtohet se stuhi me intensitet të pazakontë goditën Juiz de Fora dhe Uba, në shtetin e Minas Gerais, të hënën. Viktimat humbën jetën në përmbytje, ndërtesa të shembura, rrëshqitje balte dhe rrëshqitje toke.

“Familja jonë është e dëshpëruar”, tha Josiane Aparecida, një kuzhiniere 43-vjeçare, duke qarë ndërsa kërkonte fëmijët e kushëririt të saj, të moshës 6 dhe 9 vjeç, si dhe partnerin e saj, në rrënojat e Juiz de Fora. Kushërira e saj ishte ende gjallë kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, por ajo vdiq disa orë më vonë në spitalin ku u dërgua. Halla e saj u gjet gjithashtu e vdekur në të njëjtën zonë.

Shtëpia e familjes, në lagjen Paineiras, ishte gorposur nën baltë.

“Po përpiqemi të mbajmë shpresat lart, është shumë e vështirë”, tha gruaja.

“Është e tmerrshme, ishin fëmijë të mrekullueshëm, shpesh luaja me ta. Nuk kam fjetur për dy ditë, nuk jam larë, do të rri këtu derisa t’i gjejmë”, tha burri i Josiane-s, i cili, me një lopatë në dorë, po përpiqej të ndihmonte zjarrfikësit.

Disa metra larg, shpëtimtarët nxorën një burrë të vdekur që kishte arritur ta nxirrte gruan e tij nga shtëpia e tyre, por ai vetë nuk i shpëtoi rrëshqitjes së dheut.

Në Uba, një qytet me 107,000 banorë 100 kilometra nga Juiz de Fora, lumi me të njëjtin emër shkaktoi kaos. Rrugët në qendër të qytetit ishin të mbuluara me baltë dhe mbeturina. Dyqanxhinjtë, të veshur me çizme gome, u përpoqën të shpëtonin atë që kishte mbetur nga dyqanet e tyre të shkatërruara.

Felipe Souza Lima, 30 vjeç, pronar i një dyqani materialesh ndërtimi, e kuptoi shkallën e katastrofës kur pa dy persona duke kaluar me kanoe një rrugë të përmbytur.

“Humbëm shumë gjëra, ka kaos. Zakonisht, kur ka një përmbytje, uji del pak mbi brigje, por tani një pjesë e madhe e qytetit është përmbytur”, tha ai.


Shtuar 25.02.2026 23:11