Bllokohet propozimi në Bosnje-Hercegovinë për nominimin e Trump për Çmimin Nobel

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, kanë refuzuar të përfshijnë në agjendën e Presidencës një iniciativë të anëtares, Zhelka Cvijanoviq për ta nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, raporton Televizioni publik i Republikës Sërpska.

Cvijanoviq ka bërë të ditur më parë se ajo do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel në Komitetin e Nobelit.

“Presidenti amerikan e meriton këtë nominim sepse, përmes angazhimit të tij diplomatik dhe autoritetit personal, ai ka arritur rezultate që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në stabilizimin e shumë krizave në botë”, ka thënë ajo në letrën e përgatitur për propozim.

Sipas saj, “mirënjohja për përpjekjet e tij dhe arritjet në fushën e paqes” arsyetojnë vendimin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për ta nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 31 korrik 2023, SHBA-ja e ka futur Cvijanoviqin në listën e personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, si dhe të integritetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i ka miratuar dy ligje anti-Dejton, që kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Të dyja ligjet janë pezulluar nga Schimdt, mirëpo autoritetet e Republikës Sërpska i kanë çuar përpara procedurat dhe kanë insistuar se nuk do t’i respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, çka ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale në Bosnje-Hercegovinë.

Edhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka qenë propozuesi i ligjeve për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është nën sanksione amerikane.

SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Dodikut më 5 janar 2022, përveç atyre të vitit 2017, për rrezikim të Marrëveshjes së Dejtonit.

Çmimi Nobel për Paqe është njëri prej pesë çmimeve Nobel.

Ai u ndahet individëve apo organizatave që kanë bërë kontribute të mëdha për paqen në botë, kryesisht përmes promovimit të vëllazërisë mes kombeve, çarmatosjes dhe paqes.

Çmimi e ka nismëtar Alfred Nobelin dhe është ndarë prej Komitetit Norvegjez të Nobelit prej vitit 1901. Ceremonia mbahet çdo vit, më 10 dhjetor, në Osllo.

Fituesit shpërblehen me medalje, diplomë dhe para të gatshme./rel


Shtuar 25.08.2025 18:59