Bllofi i presidentit serb/ Kush është shefja e kabinetit të Trump që ia ndaloi Vuçiçit të takohej me presidentin amerikan?

Aleksandar Vuçiq nuk kishte llogaritur siç duhet ndikimin e veprimeve të tij dhe për pasojë, shefja e kabinetit të presidentit amerikan Donald Trump i ndaloi hyrjen në kompleksin në Florida, pavarësisht se ai kishte paguar për të qenë aty.

Kështu u shpreh ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq, duke komentuar lajmin për kthimin e papritur të presidentit të Serbisë nga SHBA.

“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump janë më të fokusuar në raportin personal me Putinin. Vuçiq nuk mund të përdorë një foto me Trumpin si mjet për të zgjidhur çështjet e brendshme në Serbi. Ai shpresonte që, me një fotografi në Florida, të zbutte presionin nga Evropa dhe të siguronte rrugën drejt Moskës. Por, duke u përpjekur të pozicionohej mes Trumpit dhe Putinit, ai ia zuri vendin Trumpit si figura udhëheqëse përballë Evropës“, deklaroi Vujoviq.

Po kush është shefja e stafit të presidentit amerikan?

Susie Wiles ka lindur më 14 maj 1957 në New Jersey me emrin Susan Sameral. Ka diplomuar në Universitetin e Marylandit dhe në vitin 1980 iu bashkua fushatës presidenciale të Ronald Reganit.

Për gati 10 vjet ka drejtuar firmën lobuese Ballard Partners në Tallahassee.

Wiles tashmë është gruaja e parë në historinë e SHBA-së që është emëruar si shefe e kabinetit të presidentit amerikan dhe konsiderohet person i besuar i tij.

Ajo është një veterane e politikës në Florida. Karrierën e nisi në zyrën e kongresmenit nga New Yorku, Jack Kemp, në Uashington gjatë viteve ’70. Më pas punoi në fushatën e Ronald Reganit dhe në Shtëpinë e Bardhë si organizatore e agjendës së tij.


Shtuar 5.05.2025 13:33