“Black-out” total/ Spanja dhe Portugalia pa energji elektrike

Një ndërprerje e papritur e energjisë elektrike ka paralizuar këtë të hënë disa nga qytetet më të mëdha të Spanjës, si Madridi, Barcelona, Malaga, Sevilla dhe Murcia. Probleme janë raportuar gjithashtu në disa zona të Portugalisë dhe Francës.

Ministria e Brendshme e Spanjës ka bërë thirrje për qetësi, duke njoftuar se situata po monitorohet nga afër, ndërsa deri tani mungon një shpjegim zyrtar për shkaqet e këtij defekti të madh në rrjetin energjetik.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar vështirësi në shumë sektorë të jetës së përditshme — nga trafiku rrugor, ku semaforët kanë dalë jashtë funksionit, deri te vonesat në aeroporte dhe linjat hekurudhore. Problemet me rrjetin Wi-Fi dhe mungesa e ndriçimit në disa zona kanë shtuar pasigurinë mes qytetarëve, të cilët po përdorin rrjetet sociale për të ndarë përvojat e tyre.

Autoritetet janë në terren dhe po punojnë për rivendosjen e plotë të energjisë, ndërsa hetimet për origjinën e defektit janë ende në vijim. Deri tani nuk ka patur asnjë reagim zyrtar ndërkombëtar për këtë incident të rrallë që ka prekur njëkohësisht disa shtete.


Shtuar 28.04.2025 14:25