Bisedimet në Berlin/ Zelenskyy: Gati të heqim dorë nga anëtarësimi në NATO në këmbim të garancive perëndimore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu të dielën gatishmërinë për të hequr dorë nga përpjekja e vendit të tij për tu bashkuar me NATO-n në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë, por hodhi poshtë presionin e SHBA-së për t’i dhënë territor Rusisë.

Zelenskyy u ul me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. Udhëheqësi ukrainas postoi fotografi të tryezës së negociatave me kancelarin gjerman Friedrich Merz të ulur pranë tij përballë delegacionit amerikan.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në klipet audio në një grup bisedash në WhatsApp para bisedimeve, Zelenskyy tha se meqenëse SHBA-të dhe disa vende evropiane kishin hedhur poshtë përpjekjen e Ukrainës për tu bashkuar me NATO-n, Kievi pret që Perëndimi të ofrojë një sërë garancish të ngjashme me ato të ofruara anëtarëve të aleancës.

“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër agresioni rus. Dhe ky është tashmë një kompromis nga ana jonë,” tha Zelenskyy.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar përpjekjen e Ukrainës për tu anëtarësuar në NATO si një kërcënim të madh për sigurinë e Moskës dhe një arsye për nisjen e pushtimit në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022. Kremlini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në aleancë si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Zelenskyy theksoi se çdo garanci sigurie do të duhej të ishte ligjërisht e detyrueshme dhe e mbështetur nga Kongresi i SHBA-së, duke shtuar se priste një përditësim nga ekipi i tij pas një takimi midis zyrtarëve ushtarakë ukrainas dhe amerikanë në Stuttgart të Gjermanisë.

Uashingtoni është përpjekur për muaj të tërë të gjejë zgjidhje për kërkesat e secilës palë, ndërsa Trump bën presion për një përfundim të shpejtë të luftës me Rusinë dhe po acarohet gjithnjë e më shumë nga vonesat. Kërkimi për kompromise të mundshme është përballur me pengesa të mëdha, përfshirë kontrollin e rajonit lindor të Donetskut në Ukrainë, i cili është kryesisht i pushtuar nga forcat ruse.

Putini dëshiron që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga pjesa e rajonit të Donetskut që është ende nën kontrollin e saj, një kërkesë e refuzuar nga Kievi. Ndërsa, Zelenskyy tha se SHBA-të kishin hedhur një ide që Ukraina të tërhiqej nga Donetsku dhe të krijonte një zonë të lirë ekonomike të çmilitarizuar atje, një propozim që ai e hodhi poshtë si të pazbatueshëm.

Zelenskyy e përshkroi çështjen si “shumë të ndjeshme” dhe këmbënguli në ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës së kontaktit, duke thënë se “sot një mundësi e drejtë e mundshme është që të qëndrojmë aty ku jemi”. Por, këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, i tha të përditshmes së biznesit Kommersant se policia dhe garda kombëtare ruse do të qëndrojnë në disa pjesë të rajonit të Donetskut, edhe nëse ato bëhen zonë e demilitarizuar sipas një plani të ardhshëm paqeje.


Shtuar 14.12.2025 19:18