Bisedime për armëpushim në Ukrainë, zëdhënësja e Trump: Presidenti i gatshëm të takohet me Zelenskyn dhe Putinin në Turqi

Presidenti amerikan Donald Trump “mbetet i gatshëm” të udhëtojë në Turqi për një takim me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin, deklaroi të hënën zëdhënësja e tij, Carolyn Leavitt.

Presidenti amerikan “ka thënë tashmë se do të ishte i gatshëm nëse një gjë e tillë ndodhte, por dëshiron që këta dy udhëheqës dhe të dyja palët të ulen së bashku në tryezën e negociatave”, tha zëdhënësja për gazetarët, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan propozoi sërish mbajtjen e një samiti të tillë, pas takimit të sotëm në Stamboll midis delegacioneve ruse dhe ukrainase.

Ukraina ka propozuar një raund të ri negociatash me Rusinë midis datave 20 dhe 30 qershor, në përpjekje për të ringjallur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e tretë të saj.

“Propozojmë që pala ruse të zhvillojë një takim nga data 20 deri më 30 qershor,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, pas takimeve të zhvilluara sot në Stamboll.

Ai theksoi nevojën për një takim të drejtpërdrejtë midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, një kërkesë që Zelensky ka përsëritur edhe më parë, pa marrë përgjigje nga Kremlini.

Në takimin e sotëm, pala ruse u përfaqësua sërish nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, që udhëheq ekipin negociator të Moskës.


Shtuar 2.06.2025 20:22