Biden: SHBA-ja po shqyrton sanksione shtesë kundër Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendi i tij po shqyrton vendosjen e sanksioneve shtesë kundër Rusisë, pas vdekjes së udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalny.

“Ne tashmë kemi sanksione, por po shqyrtojmë sanksione shtesë, po”, u tha Biden gazetarëve në Uashington.

Navalny vdiq në një burg të largët të Arktikut të premten e kaluar.

Autoritetet e burgut thanë se ai pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”, por aleatët e tij besojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kremlini tha se akuzat janë “të neveritshme” dhe se nuk ka ende “asnjë rezultat” nga hetimet e rastit.

Biden fajësoi gjithashtu Putinin për vdekjen e Navalnyt.

Navalny “e kundërshtoi trimërisht korrupsionin, dhunën dhe të gjitha gjërat e këqija që po i bënte Qeveria e Putinit”, tha presidenti amerikan të premten.

Rusia është tashmë nën sanksione të Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha po ashtu se presidenti rus, Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e Navalnyt.

Duke folur të hënën pas një takimi me gruan e tij, Yulia Navalnaya, Borrell tha se pret që shtetet anëtare të BE-së të propozojnë sanksione të reja ndaj atyre që janë drejtpërdrejt përgjegjës për trajtimin e Navalnyt, përfshirë sistemin e burgjeve të Rusisë.


Shtuar 19.02.2024 19:49