Forcat izraelite janë futur më thellë brenda pjesëve qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës të enjten, duke i luftuar militantët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Së paku 27 njerëz u vranë në Gazë gjatë luftimeve të enjten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Përshkallëzimi i luftimeve ndodhi pak orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri trysni kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, tha Shtëpia e Bardhë.
Bisedimet disamujore, të ndërprera kohë pas kohe, janë zhvilluar rreth të njëjtave çështje, por Izraeli dhe Hamasi nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.
Në qytetin verior Beit Lahiya të Gazës, 11 njerëz u vranë nga një sulm në një shtëpi, përfshirë fëmijë dhe gra, trupat e të cilëve janë djegur tërësisht, sipas shërbimit civil emergjent të udhëhequr nga Hamasi në Gazë.
Mjekët thanë se një sulm tjetër vrau gjashtë njerëz, përfshirë një gazetar lokal, në një shtëpi në kampin Al-Maghazi në qendër të Gazës. Pesë të tjerë u vranë në sulme të ndara në jug.
Të enjten më vonë, pesë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në afërsi të një sheshi në Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj i kanë shtuar operacionet në Deir Al-Balah, në qendër të Gazës, dhe në Han Junis, në jug, duke i shkatërruar dhjetëra struktura ushtarake, zbuluar raketa dhe vrarë militantë, në 24 orët e fundit.