Beogradi reagon pas njohjes së Kosovës nga Sudani, ja si e cilëson Ministria e Jashtme e Serbisë vendimin

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka shprehur “shqetësim serioz” lidhur me, siç u tha, “vendimin e shprehur verbalisht” të shefit të diplomacisë së Sudanit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të shtunën se Sudani e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ajo u informua për këtë vendim nga ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.

Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

Në një komunikatë të lëshuar më 13 prill, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e pushtetit aktual në Sudan.

“Situata aktuale politike në Sudan, e karakterizuar nga pasiguria dhe mungesa e legjitimitetit të pushtetit aktual, vë në dyshim vlefshmërinë e vendimeve të tilla ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Ministria ka vlerësuar se është “i diskutueshëm kapaciteti i Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Ajo e ka cilësuar këtë vendim si “shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, dhe ka bërë thirrje që Qeveria e Sudanit ta rishqyrtojë vendimin e saj.

Me njohjen nga Sudani, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës tani arrin në 119. Kjo është njohja e dytë brenda disa javëve, pas asaj nga Kenia në fund të marsit.

Më shumë rreth Sudanit

Sudani është duke u përballur me krizën më të madhe humanitare në botë, si pasojë e një luftë pothuajse dyvjeçare.

Ai është bërë vendi i vetëm afrikan që po përjeton uri ekstreme, sipas Kombeve të Bashkuara. Pothuajse 25 milionë njerëz – gjysma e popullsisë së Sudanit – përballen me uri ekstreme, ndërsa njerëzit po vdesin në zonat e goditura nga uria në Darfurin Perëndimor, sipas OKB-së.

Konflikti në Sudan nisi më 15 prill 2023, kur tensionet e kamotshme midis udhëheqësve ushtarakë dhe atyre paraushtarakë shpërthyen në kryeqytetin Kartum dhe u përhapën në rajone të tjera, përfshirë zonën e gjerë të Darfurit Perëndimor.

Prej atëherë, thuhet se të paktën 20.000 njerëz janë vrarë, megjithëse numri ka mundësi të jetë shumë më i lartë.

Në fund të muajit të kaluar, ushtria sudaneze e rimori kontrollin mbi Kartum, një fitore e rëndësishme simbolike në luftë. Por, grupi paraushtarak rival, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vazhdon ta kontrollojë pjesën më të madhe të Darfurit dhe disa zona të tjera./REL


Shtuar 13.04.2025 22:15