Beogradi lë të hapur mundësinë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç la të kuptohet për herë të parë të mërkurën se Beogradi mund të ndryshojë kursin dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, një nga kërkesat kryesore të BE-së që Serbia të përparojë në bisedimet e anëtarësimit në BE.

Në një intervistë për Euractiv, Daçiç, tha se Serbia, një kandidate në BE që nga viti 2012, do të udhëhiqet gjithmonë nga ato vendime të cilat janë në interesin e saj më të mirë.

“Ne dënojmë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe kështu votuam në organet ndërkombëtare. Nëse ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë është një çështje tjetër. Nuk është çështje kohe apo afatesh, është një çështje që ka të bëjë me interesat tona politike dhe ekonomike”, deklaroi Daçiç.

Daçiç tha se që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 e deri më tani, Serbia nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore “sepse vlerësoi se nuk do të ishte në interesin e saj”.

“Nëse diçka ndryshon në dëm të interesave të Serbisë, atëherë vendimi ynë do të përshtatet në përputhje me rrethanat, sepse ne do të vlerësojmë në çdo moment se cili është vendimi më i mirë për ekonominë tonë, për pozitën tonë në botë dhe për qytetarët e Serbisë”, tha Daçiç.

Daçiç shpalli anëtarësimin në BE si “një prioritet për Serbinë”, por ai gjithashtu kritikoi BE-në për zvarritjen e zgjerimit.

“Ajo narrativë që dëgjojmë shpesh, se Ballkani mund të krijonte probleme të reja nëse do të ishte brenda BE-së, është më shumë një pretekst sepse BE-ja ka parë një ulje të oreksit për zgjerim”, tha ai.

Në një tjetër shenjë se narrativa për Rusinë, mund të ndryshojë nga Beogradi është se për herë të parë, kryeministrja serbe Ana Brnabić, përmendi për herë të parë termin “agresioni rus kundër Ukrainës”, formulim të cilin Serbia nuk e kishte përdorur kurrë më parë. Ajo vlerësoi gjithashtu BE-në si investitorin dhe donatorin më të madh në Serbi.

Kujtojmë se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka kundërshtuar ashpër sanksionimin e Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë, duke theksuar shpesh se Serbia importon të gjithë naftën dhe gazin e saj nga Rusia.

Në tetor, ai zbuloi një plan prej 12 miliardë eurosh për investime në infrastrukturën e energjisë gjatë gjashtë viteve për të diversifikuar dhe siguruar furnizimin me energji.


Shtuar 26.01.2023 15:36