Belgjika merr presidencën e BE-së

Nga sot Bashkimi Evropian do të kryesohet nga Belgjika. Presidenca e re e BE-së njoftoi se në gjashtë muajt e ardhshëm të kryesimit më Unionin do të punojnë për të mbrojtur sundimin e ligjit, demokracinë dhe unitetin e BE-së, përforcimin e konkurrencës, agjendën e gjelbër, agjendën e zgjeruar sociale, mbrojtjen e njerëzve dhe kufijve, si dhe promovimin e një Evrope globale. Belgjika, për presidencën e saj të trembëdhjetë me BE-në edhe atë gjatë zgjedhjeve evropiane në pranverë, zgjodhi sloganin “Mbroje, përforcoje dhe përgatite veten”.

“Ne kemi tre prioritete. Së pari, t’i mbrojmë qytetarët tanë. Së dyti, të përforcojmë ekonominë tonë me norma të qëndrueshme. Prioriteti ynë i fundit është të përgatisim Evropën për të ardhmen”, tha Aleksandar de Kro- kryeministër i Belgjikës.

Procesi i zgjerimit të Unionit nuk është përfshirë si temë kyçe, por përmendet në pjesën e sundimit të ligjit. Aty thuhet se Unioni do të vazhdojë të diskutojë për mënyrën e marrjes së vendimeve lidhur me anëtarësimin e vendeve të reja. Debati kryesor është rreth çështjes së heqjes së unanimitet dhe marrjes së vendimeve me shumicë të kualifikuar.

“Zgjerimi i Bashkimit tonë duhet të na bëjë të gjithëve më të fortë. Prandaj, presidenca është e përkushtuar të mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me Unionin tonë. Në të njëjtën kohë, do të jetë thelbësore të përgatiten politikat, burimet dhe strukturat vendimmarrëse të Bashkimit për anëtarësimet e ardhshme”, thonë nga Presidenca belge e BE-së.

Përveç Bashkimit Evropian, OSBE-ja prej sot ka presidencë të re. Në Samitin e Shkupit u vendos që ajo të jetë Malta kurse shefi i diplomacisë së vendit, Jan Borg, tha atëherë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim duhet të fokusohet në përfundimin e luftës dhe ndalimin e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës.


Shtuar 1.01.2024 17:27