Takimi i pestë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 22 maj 2025 në Bruksel.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ku shkruhet se takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 3 ‘Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse’, duke përfshirë Kapitullin 10 (transformimi dixhital dhe media), kapitullin 16 (taksimi), kapitullin 17 (politika ekonomike dhe monetare), kapitullin 19 (politika sociale dhe punësimi), kapitullin 20 (politika e ndërmarrjeve dhe industriale), kapitullin 25 (shkenca dhe kërkimi), kapitullin 26 (arsimi dhe kultura) dhe kapitullin 29 (bashkimi doganor).
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se deri në vitin 2027 do të mbyllen grupkapitujt e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Po ashtu, Rama ka premtuar se Shqipëria do të jetë gati për të hyrë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.