BE paralajmëron Meta-n se duhet të hapë WhatsApp-in për chatbot-et rivalë të inteligjencës artificiale

Ekzekutivi i BE-së i bëri thirrje sot Meta-s t’u japë akses chatbot-eve rivale në WhatsApp, pasi një hetim antitrust zbuloi se gjigandi amerikan kishte shkelur rregullat e konkurrencës së bllokut, sipas “New Straits Times”.

Komisioni Evropian tha se një ndryshim në kushtet e Meta-s, i kishte ndaluar asistentët e inteligjencës artificiale të palëve të treta të lidheshin me klientët përmes platformës së mesazheve që nga janari.

Shefja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera, tha se BE-ja po shqyrtonte vendosjen e shpejtë të masave të përkohshme ndaj Meta-s, për të ruajtur aksesin e konkurrentëve në WhatsApp ndërsa hetimi është në vazhdim, dhe për të shmangur dëmtimin e pakthyeshëm të konkurrencës në Evropë nga politika e re e Meta-s.

Ekzekutivi i BE-së, i cili është përgjegjës për politikën e konkurrencës, i dërgoi Meta-s një paralajmërim të njohur si një “deklaratë kundërshtimesh”, një hap formal në hetimet antitrust.

“Meta” tani ka një shans për t’u përgjigjur dhe për të mbrojtur veten. Hapi i sotëm nuk paragjykon rezultatin e hetimit”, tha komisioni.

Gjigandi i teknologjisë hodhi poshtë gjetjet paraprake të komisionit.

“Faktet janë se nuk ka arsye që BE të ndërhyjë”, tha një zëdhënës i Meta-s.

“Ka shumë opsione të IA-së dhe njerëzit mund t’i përdorin ato nga app stores, sistemet operative, pajisjet, faqet e internetit dhe partneritetet e industrisë. Logjika e komisionit supozon gabimisht se WhatsApp Business API është një kanal kyç shpërndarjeje për këto chatbot-e”, tha zëdhënësi.

I hapur në dhjetor, hetimi i BE-së shënon përpjekjen e fundit nga blloku 27-vendesh për të frenuar Big Tech, shumë prej të cilëve janë të vendosura në SHBA, përballë kundërshtimit të fortë nga qeveria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Hetimi mbulon Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), të përbërë nga 27 shtetet e bllokut, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia – me përjashtim të Italisë, e cila hapi një hetim të veçantë ndaj Meta-s në korrik.


Shtuar 9.02.2026 16:29