BE-ja duhet ta shfrytëzojë momentin gjeopolitik në Ballkan

Nga Paul Taylor, Politico.eu

Më në fund Bashkimi Europian është zgjuar, pas pushtimit rus të Ukrainës  për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe potencialin e Moskës për të shfrytëzuar mosmarrëveshjet e pazgjidhura në rajon për të minuar Perëndimin.

Liderët europianë duhet ta shfrytëzojnë tani momentin gjeopolitik për të rinovuar integrimin e gjashtë vendeve të vogla, ekonomikisht të brishta me një popullsi totale prej më pak se 18 milionë.

Ose në të kundër do të përdorën nga Rusia dhe Kina në lojërat e tyre të pushtetit. Pavarësisht zhgënjimit të thellë me ritmin e progresit si të kërmillit që kur BE-ja u dha zyrtarisht perspektivën e anëtarësimit në vitin 2003, anëtarësimi në BE mbetet rezultati më i mirë i imagjinueshëm për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë dhe për pjesën tjetër të Europës.

Nëse BE-ja vazhdon t’i distancojë, këto vende mund të afrohen më shumë me Rusinë,  duke ndikuar gjithashtu në krijimin e një zone joliberale që mund të shtrihet nga Hungaria në Turqi.

Ekziston një supozim i vetëkënaqur në disa kryeqytete të Europës Perëndimore, veçanërisht në Paris dhe Hagë, ku lodhja nga zgjerimi i BE-së është më e forta, se status quo-ja është e menaxhueshme dhe nuk paraqet rrezik serioz për sigurinë europiane.

Sigurisht, njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë të lodhur nga lufta pas tmerreve të viteve 1990.

Situata mund të duket nën kontroll, por nuk është e qëndrueshme pët një kohë të pacaktuar. Nuk ka asnjë garanci që konfliktet e pazgjidhura brenda Bosnjës ose midis Serbisë dhe Kosovës do të qëndrojnë të ngrira me shpërthime të vogla, ose se dhuna e lokalizuar politike nuk do të përshkallëzohet, duke tërhequr lojtarë të jashtëm dhe duke nxitur flukse të reja refugjatësh, armësh dhe droge në vendet e Bashkimit Europian.

Përplasje e fundit për targat mes Kosovës dhe Serbisë kanë nxjerrë në pah se një shkëndijë e vogël mund të ndezë një konflikt më të madh. Sulmi i presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës ka vënë në rrezik shumë njerëz në rajon, duke nxitur ultra-nacionalizmin mes serbëve pro-rusë dhe duke sjellë kujtime të errëta dhe shkatërrimit të atyre që i mbijetun luftërave në 1990 në Jugosllavi.

Moska po përpiqet të nxisë nacionalizmin ortodoks pan-sllav dhe të shfrytëzojë ndarjet kudo që ka mundësi.

Ajo po mbështet udhëheqësin serb të Bosnjës Milorad Dodik, në planet e tij për t’u shkëputur nga Bosnja dhe ka përhapur dezinformata për të forcuar armiqësinë e serbëve në very të Kosovës ndaj qeverisë së Prishtinës.

Kina, nga ana e saj, ka bërë më së shumti investime ekonomike, duke përdorur kornizën 14+1 në iniciativën e saj “Një brez, një rrugë” për t’u angazhuar me udhëheqësit vendas që kërkojnë projekte ambicioze të infrastrukturës dhe mbrojtjes.

Kina po ndjek të njejtën rrugë që po ndjek Rusia për sa i përket Ballkanit Perëndimor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe po përdor muskujt e saj financiarë për të bindur shtetet e Ballkanit që të mbështesin rezolutat kritike për shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang ose Hong Kong.

Mediat pro-qeveritare serbe po transmetojnë narrativën ruse për luftën në Ukrainë dhe mediat në pronësi ruse po kontribuojnë në histerinë e luftës kundër Kosovës. Rusia dhe Kina kanë kontribuar të dyja në riarmatimin e Serbisë. Moska gjithashtu ka një levë të fuqishme energjetike pasi Serbia merr 80% të gazit të saj nga Rusia, ndërsa Bosnja është 100% e varur nga Rusia.

Pjesërisht si rezultat, Serbia ka refuzuar të bashkohet me BE-në për sa i përket sanksioneve kundër Rusisë, duke shkaktuar zemërim në Bruksel. BE-ja ka levat më të fuqishme afatgjata, nëse është e gatshme t’i përdorë ato, duke pasur parasysh aspiratën e përhapur publike për t’u bashkuar me bllokun në të gjithë rajonin, me përjashtim të Serbisë.

Megjithatë, Franca dhe Holanda kanë penguar zgjerimin e mëtejshëm të vendeve që atëherë kryesisht për shkak të frikës nga migrimi dhe krimi i organizuar. Anëtarët fqinjë të BE-së, Greqia dhe Bullgaria kanë penguar prej vitesh  prej vitesh anëtarësimin e Maqedonisë  për BE dhe NATO, për shkak të emrit dhe fakti se kjo e fundit duhet të pranojë narrativën e Sofjes për historinë dhe pakiën e saj bullgare.

Edhe pasi ra dakord të ndryshonte emrin e saj në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018, Franca vuri veton ndaj hapjes së negociatave me Shkupin dhe Shqipërinë.

Por bisedimet më në fund filluan këtë korrik, por Maqedonisë së Veriut ende i kërkohet të ndryshojë kushtetutën e saj vitin e ardhshëm duke përfshirë kushtet e rënë dakord me Bullgarinë, një kurth i mundshëm politik pasi qeverisë i mungon një shumicë.

Kur liderët e BE-së i dhanë menjeherë Ukrainën dhe Moldavisë statusin e vendit  kandidat në qershor në përgjigje të agresionit të Rusisë, elitat e Ballkanit Perëndimor pa dyshim u frikësuan.

Po kështu, kur kancelari gjerman Olaf Scholz kërkoi që BE-ja të reformonte sistemin e saj të vendimmarrjes për të hequr veton kombëtare mbi politikën e sanksioneve dhe taksave përpara se të pranoheshin anëtarët e rinj, diçka e tillë do të kërkojë shumë kohë.

Pra, çfarë duhet të bëjë BE-ja tani?

Së pari, një angazhim politik më i dukshëm.

BE-ja ka bërë përparime këtë vit duke i kushtuar vëmendje rajonit të lënë pas dore prej kohësh. Ka pasur dy samite BE-Ballkani Perëndimor, një në rajon për herë të parë, plus një ringjallje të Procesit të Berlinit për të mbështetur integrimin ekonomik rajonal në përgatitjen për t’u bashkuar me tregun e vetëm të BE-së. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Europian në Pragë në tetor, të udhëhequr nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Ky angazhim duhet të vazhdojë.

Së dyti, të përshpejtojmë anëtarësimin dhe benefitet.

BE-ja duhet të riformësojë procesin e saj të vështirë të anëtarësimit për të ndihmuar më shumë nga përfitimet financiare dhe të aksesit në treg, ndërsa kandidatët përparojnë me reformën.

Aktualisht, ata marrin vetëm një ndihme të vogël të para-anëtarësimit derisa bëhen anëtarë më të drejta të plota. BE-ja duhet të ftojë ministrat nga rajoni për të marrë pjesë në takimet jozyrtare të këshillit për çështjet me interes të përbashkët.

Gjithashtu duhet të inkurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të zgjedhin vëzhgues në Parlamentin Europian në të njëjtën kohë me zgjedhjet europiane të vitit 2024, në mënyrë që ata të kenë një zë, nëse jo një votë, në ligjbërjen e BE-së, raporton abcnews.al.

Natyrisht, pjesa më e madhe e punës së vështirë duhet të bëhet në vendet kandidate, shumica e të cilave janë larg përmbushjes së kushteve themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë së shprehjes dhe luftës kundër korrupsionit për t’u kualifikuar për anëtarësim.

Si gjithmonë do të ketë një problem.

Pse politikanët e Ballkanit do të miratonin reforma të dhimbshme që mund t’ua vështirësonin pushtetin dhe paratë për një perspektivë kaq të largët dhe të pasigurt?

BE-ja do të duhet të punojë më shumë, duke mbështetur shoqërinë civile, organizatat e grave dhe bizneset e vogla si nxitës të ndryshimit, duke ofruar stimuj dhe duke ushtruar presion.

Në këtë moment gjeopolitik, BE-ja nuk duhet të lejojë rritjen e tensioneve në rajon.

/albeu.com


Shtuar 14.12.2022 14:58