BE bie dakord të strehojë ukrainasit që ikin nga lufta deri në vitin 2027

Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord në parim – për të zgjatur mbrojtjen e përkohshme për refugjatët nga Ukraina me një vit tjetër deri në mars 2027, sipas një deklarate të lëshuar në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së, sot në Luksemburg.

Kjo zgjatje do t’u lejojë qytetarëve ukrainas të kenë akses në tregjet e punës, përfitimet sociale dhe kujdesin mjekësor të BE-së – pa aplikuar për azil.

Kjo marrëveshje politike shënon një hap të rëndësishëm, megjithëse vendimi duhet të miratohet zyrtarisht nga vendet anëtare të BE-së – një veprim që pritet në një takim të mëvonshëm.

Paralelisht, vendet e BE-së po diskutojnë një rekomandim të Komisionit Evropian për të përgatitur një strategji të koordinuar kthimi për ukrainasit.

Kjo do t’i ndihmonte ukrainasit që ikën në bllok – të kishin akses në forma të tjera të lejeve të qëndrimit – siç janë vizat e punës ose të studentëve.

Informacioni në lidhje me opsionet e kthimit duhet gjithashtu të përmirësohet, duke hapur rrugën për kthimin gradualisht të ukrainasve në vendin e tyre të origjinës.

Komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner njoftoi emërimin e një të dërguari të posaçëm për refugjatët ukrainas. Brunner tha më herët se nëse situata në Ukrainë stabilizohej, statusi i mbrojtjes mund të hiqej para kohe.

“Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, më shumë se 4,3 milionë ukrainas janë larguar nga Ukraina në Bashkimin Evropian”, sipas komisionit. Gjermania ka pranuar pjesën më të madhe të tyre, më shumë se 1,2 milionë ukrainas.


Shtuar 13.06.2025 18:55

Tags: ,