Nga Shlomo Ben-Ami “Projct Syndicate”
Historiani anglez i shekullit XIX, JR.Seeley deklaroi në një rast se Britania e fitoi perandorinë e saj falë një “mungese përqendrimi”. E njëjta gjë mund të thuhet për Bashkimin Evropian të pas Luftës së Ftohtë. Në një farë mënyre, zgjerimi i BE-së përtej Evropës Perëndimore ndodhi në një situatë shpërqendrimi pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Pot tani, ajo është duke u lodhur nga ky proces. Në mendjet e udhëheqësve të saj kufijtë e Evropës kanë qenë gjithmonë të ndryshueshëm. Për Charles de Gaulle, Evropa përfshinte Rusinë deri në malet Urale.
Në vitin 2018, presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, propozoi një përkufizim më të nuancuar, madje të diskutueshëm: një Evropë të “rrathëve koncentrikë”, ku secili rreth nënkupton një nivel të ndryshëm identiteti. Është një vizion i një Evrope me dy nivele, në të cilën vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore vendosen në vendin e tyre, raporton albeu.com
Ndërsa ideja e Macron nuk u bë asnjëherë një politikë zyrtare e BE-së, ajo pasqyron gjithsesi një hartë mendore të rrënjosur që e zhvlerëson periferinë e Evropës. Sipas botëkuptimit që mbizotëron aktualisht në BE, periferitë janë të rëndësishme vetëm kur për to ka nevojë qendra, ose kur ato shndërrohen në një kërcënim për sigurinë e saj.
Në samitin BE-Ballkani Perëndimor të vitit 2020, gjatë fazave të hershme të pandemisë së Covid-19, liderët e Evropës miratuan një paketë të madhe ndihme për Evropën Lindore dhe Juglindore. Në ndërhyrje të veçanta, të njëjtën gjë bënë edhe Rusia dhe Kina.
Ndërkohë BE-ja dha mbështetjen e saj për anëtarësimin në bllok të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, tha se kjo qasje ishte në përputhje me një “interes gjeostrategjik absolut”.
Megjithatë, as lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk i ka sjellë më pranë anëtarësimit këto vende. Në qershor, BE-ja i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, duke shkaktuar zhgënjim në radhët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku negociatat e pranimit praktikisht janë ndalur.
Por pse po ndodh kjo? Në samitin BE-Ballkani Perëndimor të këtij vitit, udhëheqësit e Evropës këmbëngulën se anëtarësimi në BE duhet të “bazohet në reforma të besueshme, në kushte të drejta dhe rigoroze, si dhe në parimin e meritave të secilit”. Me pak fjalë, ata thanë se rajoni nuk është ende gati të bëhet pjesë e unionit, raporton albeu.com.
Por jo vetëm kaq. S’ka asnjë dyshim se destabiliteti i Ballkanit Perëndimor, i shoqëruar nga institucionet e dobëta demokratike, qëndrojnë në themelin e ngurrimit të Evropës. Serbia dhe Kosova vazhdojnë mosmarrëveshjet midis tyre për çështje territoriale dhe kulturore. Ndërsa Kosova ka shënuar përparim në zbatimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit, tensionet mes serbëve etnikë dhe shumicës shqiptare, po e mbajnë të ndarë këtë rajon. Disa anëtarë të BE-së – Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja – nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.
Po kështu, Maqedonia është ndezur me kushtet dhe kërkesat e herëpashershme të anëtarëve të BE-së. Në vitin 2019, ajo e ndryshoi emrin e saj në Maqedoninë e Veriut pas një presioni të gjatë nga Greqia. Edhe pse Bullgaria e hoqi në qershor veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, këmbëngul se maqedonishtja nuk mund të njihet si gjuhë zyrtare.
Por asnjë nga këto çështje nuk duhet që të bllokojë anëtarësimin në BE. E vërteta është se Evropa po vuan nga lodhja nga zgjerimi, sidomos kur flitet për vendet që nuk do të kontribuonin në buxhetin e BE-së në rast se do të anëtarësoheshin. Po ashtu, Brukseli është shumë i kujdesshëm ndaj autoritarizmit.
Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, vetë një objektiv i kritikave të BE-së, u ankua në një rast se “problemi është se 90 për qind e temave në institucionet e BE-së nuk i kushtohen qëllimit strategjik të zgjerimit, por se si të dëbohen disa vende anëtare, dhe kësisoj unionit të mos zgjerohet por të zvogëlohet”.
Në njëfarë kuptimi, Janša kishte të drejtë. Në një kohë kur liderët e BE-së po përballen me qeveritë jo liberale në Hungari dhe Poloni, anëtarësimi i Serbisë që drejtohet nga presidenti autokrat Aleksandar Vucic duket sa shqetësues aq edhe rraskapitës. Po kështu, liderët e BE-së i shmangen ndjenjave pro-Kremlinit.
Që kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës, si Vucic po ashtu edhe Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, entiteti federal serb në Bosnje Hercegovinë, kanë refuzuar që të mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Nacionalistët serbë kanë qenë prej kohësh aleatë me Rusinë.
Por pengesat ushtarake të Rusisë në Ukrainë, i kanë kushtuar mbështetjen në rajon. Presidenti rus Vladimir Putin i kupton tashmë kufijtë e ndikimit të tij në rajon. Kjo u bë e dukshme kur përkundër të gjitha parashikimeve, Rusia nuk vendosi veton ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjatjen e mandatit të EUFOR – forcës ushtarake evropiane të vendosur në Bosnje për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund Luftës së Bosnjes.
Madje Vucic dhe Dodik e këshilluan Moskën kundër përdorimit të vetos. Rusia ka frikë se alternativa ndaj EUFOR-it është një NATO e fuqishme, dhe se fundi i këtij misioni mund të ringjallë një mision boshnjak për aleancën. Duke pasur parasysh këtë prani ushtarake evropiane dhe synimin e administratës se Joe Biden për t’u riangazhuar me rajonin, udhëheqësit e BE-së ka të ngjarë të mendojnë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor mund të vazhdojë të presë.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s, dhe Bosnja dëshiron të anëtarësohet në aleancë. Dhe kjo e lejon një BE të lodhur që të mbajë në pritje kandidaturat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Evropa e rrathëve koncentrike të Macron mund të mos jetë një politikë zyrtare e BE-së, por me siguri që duket si e tillë.
Shënim:Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i jashtëm i Izraelit, aktualisht zëvendëspresident i Qendrës Ndërkombëtare të Toledos për Paqe.
/albeu.com