Austria ndalon shaminë në shkolla për fëmijët nën 14 vjeç

Austria ka miratuar një ligj të ri që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç në të gjitha shkollat e vendit, një vendim që ka ndezur menjëherë debate të forta politike, juridike dhe shoqërore. Koalicioni qeverisës i qendrës, i përbërë nga ÖVP, SPÖ dhe Neos, e ka përshkruar këtë ndërhyrje si një “angazhim të qartë për barazinë gjinore” dhe një përpjekje për të mbrojtur vajzat nga çdo formë presioni apo shtypjeje. Por kritikët paralajmërojnë se ligji është i diskutueshëm në aspektin kushtetues dhe rrezikon të nxisë ndjenja anti-muslimane në vend.

Ligji ndalon mbajtjen e mbulesave tradicionale myslimane, si hixhabi apo burka, nga vajzat më të vogla se 14 vjeç, si në shkollat publike ashtu edhe në ato private. Në rast shkeljeje, nxënëset do të duhet të zhvillojnë biseda me drejtuesit e shkollës dhe prindërit, ndërsa përsëritja e situatës mund të çojë në përfshirjen e agjencisë së mirëqenies së fëmijëve. Masa më e ashpër parashikon gjoba që mund të arrijnë deri në 800 euro për familjen. Qeveria këmbëngul se qëllimi është fuqizimi i vajzave të reja, duke deklaruar se rreth 12 mijë nxënëse do të preken nga ndalimi.

Reagimet kanë qenë të shumta dhe të përplasura. Shefi parlamentar i Neos, Yannick Shetty, ka insistuar se kjo nuk është një masë e drejtuar kundër ndonjë feje, por një mbrojtje e lirisë individuale. Në të kundërt, ekstremi i djathtë FPÖ, i cili votoi pro ligjit, e kritikoi masën si të pamjaftueshme, duke kërkuar ndalim të plote të shamive si për nxënëset ashtu edhe për mësueset dhe stafit të shkollave, me argumentin se “islami politik nuk ka vend” në institucionet arsimore. Ndërkohë, të Gjelbrit në opozitë e cilësuan ligjin “qartësisht jokushtetues”, duke kujtuar se në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar një ndalim të ngjashëm për vajzat nën 10 vjeç, me argumentin se targetonte drejtpërdrejt komunitetin mysliman.

Bashkësia zyrtare Islame në Austri, IGGÖ, reagoi ashpër duke akuzuar qeverinë se po shkel të drejtat themelore të fëmijëve dhe po përçon shoqërinë. Sipas tyre, një masë e tillë nuk fuqizon vajzat, por i stigmatizon dhe i margjinalizon. IGGÖ ka njoftuar se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar kushtetutshmërinë e ligjit dhe nuk përjashton marrjen e hapave juridikë për anulimin e tij. Edhe brenda qeverisë ka pasur ndjenja pasigurie, me deputetin Shetty që pranoi se “nuk dihet” nëse ligji do t’i mbijetojë testit kushtetues, edhe pse, sipas tij, është bërë “më e mira e mundshme” për të shmangur problemet ligjore të së kaluarës.

Ligji do të kalojë fillimisht në një periudhë prove për rritjen e ndërgjegjësimit, e cila nis në shkurt të vitit 2026, ndërsa ndalimi i plotë pritet të hyjë në fuqi në shtator 2026, me fillimin e vitit të ri shkollor. Debati mbi kufirin mes barazisë gjinore, lirisë fetare dhe integrimit të komuniteteve vazhdon të ndajë opinionin publik, duke e shndërruar këtë ligj në një nga çështjet më të diskutueshme të politikës austriake të viteve të fundit.


Shtuar 11.12.2025 19:10