Arrestohen pas tragjedisë me 5 viktima pronari i fabrikës së biskotave “Violanta” dhe dy drejtues të tjerë! Akuzat me të cilat përballen

Pronari i fabrikës së biskotave “Violanta” si dhe dy drejtues të tjerë të kompanisë janë arrestuar pas tragjedisë që i mori jetën pesë grave në Trikala.

Sipas informacioneve, pronari përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, shpërthim, zjarrvënie nga pakujdesia si dhe shkaktim të lëndimeve trupore.

Si ndodhi tragjedia

Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak para orës 04:00, duke përfshirë një krah të fabrikës.

Pak më herët kishte ndodhur një shpërthim i fuqishëm në bodrumin e godinës qendrore të fabrikës, e cila ndodhet në aksin kombëtar Trikala–Kardica.

Dëshmitë e familjarëve të viktimave

Zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve nga Zjarri vijojnë hetimet për shpërthimin dhe zjarrin në fabrikën e biskotave “Violanta” në Trikala, tragjedi që solli humbjen e jetës së pesë punëtoreve.

Në të njëjtën kohë, nëna e Elenës Katsarou, një prej viktimave, e cila edhe vetë ka punuar në fabrikë për 28 vite, denoncon se prej më shumë se një muaji kishin paralajmëruar për erën e gazit, por askush nuk reagoi.

Nga ana tjetër, një punonjëse që ndodhej në të njëjtin repart me gratë që humbën jetën, deklaron se brenda ambienteve “nuk ndjehej ndonjë erë” dhe se “nëse do ta kishim kuptuar, do t’u kishim thënë përgjegjësve”.

“Punoj aty prej 28 vitesh, në turnin e mëngjesit. Prej më shumë se një muaji u thoshim se po ndihej erë gazi, por askush nuk i kushtonte vëmendje. Gjithçka aty ishte e lënë pas dore: kabllo të hedhura në dysheme, asgjë nuk mirëmbahej. Shkarkime elektrike, shumë priza në tokë, ne ankoheshim dhe askush nuk bënte asgjë. Asgjë fare”, deklaro Androniki për protothema.gr.

“Humba vajzën time aty. Vajza ime punonte prej 13 vitesh në fabrikë. Unë kam 28 vite që punoj dhe thosha se do t’i lija kockat e mia në Violanta, por ishte fëmija im që i la kockat e saj atje”, tha ajo e përlotur, duke shtuar: “Kam nipin tim tani. Çfarë do të bëj? Ku do të mbështetem? A do të kthehet vajza ime mbrapsht? Vajza ime nuk kthehet më”.

“Ata nuk bënë asgjë, edhe pse çdo ditë u thoshim ‘këtu nuk punon kjo, nuk punon ajo’. Brenda kishte erë. Kishte rrjedhje prej kohësh. Nuk e di çfarë ishte. Zjarri nuk erdhi nga furra. Vajzat që ishin pranë furrës dolën të padëmtuara. Vajza ime dhe gratë e tjera që ndodheshin rreth 30 metra larg furrës, ato u vranë”, tha Androniki.

E pyetur se ku ndihej era, ajo u përgjigj: “Kudo brenda. Shkoje në tualete – kishte erë. Shkoje në lavamanë – kishte erë. Kudo kishte erë. U thoshim, por nuk bënin asgjë”.

Motrat e Elenës, duke folur për MEGA, thanë se “ende askush nuk e di si ndodhi”, ndërsa “e vetmja gjë që dimë është se zjarri nisi nga brenda dhe papritur u dëgjua shpërthimi”.

“Pas ngjarjes mësova se kishte erë. Kur shkonin në tualete, era e gazit ishte shumë e fortë. Kjo ka ndodhur për rreth një muaj. Punonjëset e thoshin në vendin e punës, por askush nuk reagoi. Personeli shkonte në punë, nuk kishte çfarë të bënte tjetër. Dikush duhej ta kontrollonte këtë situatë dhe jo të ndodhte ajo që ndodhi”, denoncoi ajo.

Viktima punonte në turnin e natës sepse kishte një fëmijë të vogël dhe donte të kishte më shumë kohë për t’u kujdesur për të. “Fëmija është ende në gjendje shoku. E ka kuptuar çfarë ka ndodhur, por është vetëm një fëmijë, nuk është i rritur”, thanë motrat e Elenës.

Nga ana e saj, kunata e Agapis, gjithashtu viktimë, deklaroi për MEGA: “E mësuam nga punonjës të tjerë, jo nga drejtuesit. E kishin përmendur në një kafene se prej një jave kishte erë gazi. Këto gjëra duhet të kontrollohen, duhet të flasin përgjegjësit. Nuk është e mundur që askush të mos mbajë përgjegjësi”.

Përgjegjësja e turnit të natës, e cila mungonte me leje natën e tragjedisë, deklaroi për MEGA se brenda fabrikës “nuk ndihej asgjë dhe për këtë arsye punonim pa shqetësim. Nuk kishte erë. Siguresat, sistemet kundër zjarrit… fabrika ishte në gjendje perfekte. Një fabrikë moderne, me pajisje të shkëlqyera. Për këtë arsye askush nuk mund ta shpjegojë se çfarë ndodhi, pasi ne punonim normalisht aty. Pastërtia? Jo thjesht e pastër, por e shkëlqyer, nga çdo anë, makineri, sensorë, gjithçka”.

“Aty gjithmonë kryheshin kontrolle, edhe së fundmi. Nuk besoj se ka pasur ndonjë punonjës që të ketë bërë ndonjë denoncim, anonim apo me emër, dhe të vazhdonte të punonte në Violanta”, shtoi ajo.

“Ishin vajzat e mia, ekipi im. Do të isha edhe unë aty me to, po të mos isha me leje”, tha ajo për viktimat.

Në prerjen e tortës bëmë foto, kërcyem, qeshëm, kaluam shumë bukur. Kërcenim bashkë me pronarët, të gjithë së bashku. Ishte gjithçka perfekte. U larguam, unë në shtëpinë time, vajzat në të tyren. Fjetën pak për t’u kthyer në punë në orën 23:30. Çfarë ndodhi më pas, askush nuk e di”, përfundoi ajo.


Shtuar 27.01.2026 19:06