Ditën e sotme, Papa Leone XIV shprehu shqetësimin e tij për situatën në Venezuelë, duke bërë thirrje për respektimin e sovranitetit dhe të Kushtetutës së vendit.
Gjatë lutjes së mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë theksoi se “e mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë mbi çdo interes tjetër”.
Gjithashtu, ai u bëri thirrje palëve për bashkëpunim, me synimin e ndërtimit të një të ardhmeje të qetë, të qëndrueshme dhe të bazuar në bashkëjetesë, duke nënvizuar se vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet shtresave më të varfra, të prekura rëndë nga kriza ekonomike.
Deklarata e Papës vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, pas arrestimit nga SHBA-ja të presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët pritet të përballen me akuza për trafik droge në territorin amerikan.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA do të “qeverisë Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt”, duke paralajmëruar edhe një valë të dytë sulmesh në rast rezistence.
