Arrestime në masë në Rusi pas vdekjes së Navalny, më shumë se 340 persona nën ndjekje

Të paktën 340 persona janë arrestuar në më shumë se 30 qytete të Rusisë, që nga njoftimi i vdekjes së Aleksei Navalny-it, kundërshtari më i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, sipas organizatës për të drejtat e njeriut OVD-Info.

Kjo është vala më e madhe e arrestimeve gjatë aktiviteteve politike në Rusi që nga shtatori 2022, kur mbi 1300 persona u arrestuan gjatë demonstratave kundër “mobilizimit të pjesshëm” të rezervistëve për fushatën ushtarake në Ukrainë.

Juristi i burgosur 47-vjeçar, Alexei Navalny, ra pa ndjenja dhe më pas vdiq pas një ecjeje në burgun “Ujku Polar” në Arktik, ku po vuante një dënim me 30 vite burg, njoftoi shërbimi i burgjeve.

OVD-Info raportoi se shumica e arrestimeve të së shtunës ndodhën në Shën Petersburg dhe Moskë, ku lëvizja e Navalny ka pasur ndikim të fortë. Në Shën Petersburg u arrestuan 74 persona dhe në Moskë 49 deri rreth orës 3 të pasdites, sipas orës lokale.

Filmimet e agjencisë së lajmeve Reuters të shtunën në Shën Petersburg tregonin dhjetëra persona duke u mbledhur pranë një monumenti të dedikuar viktimave të represionit. Protestuesit vendosën lule dhe qirinj, ndërsa disa këndonin himne dhe të tjerë përqafoheshin me njëri-tjetrin, duke derdhur lotë.

“Ndjeva keqardhje për të dhe për vendin tonë”, tha një pjesëmarrëse 83-vjeçare që nuk pranoi të japë emrin e saj. “Jam e frikësuar”, tha ajo.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve Reuters që gjendej në vendngjarje tha se rreth 30 persona u arrestuan pak pasi përfunduan së kënduari.

Organizata OVD-Info gjithashtu raportoi për arrestime të veçanta në qytete më të vogla të Rusisë, që nga qyteti kufitar Belgorod, ku shtatë persona u vranë të enjten nga një sulm ukrainas me raketë, dhe deri në Vorkuta, një qytezë minatorësh në Arktik ku gjatë periudhës së Stalinit gjendeshin kampet e punës së detyruar.

Filmimet e agjencisë së lajmeve Reuters në Moskë tregojnë forcat e policisë që i grumbullojnë demonstruesit mbi dëborë, pranë vendit ku njerëzit kishin lënë lule dhe mesazhe në mbështetje të udhëheqësit të vdekur opozitar.

“Në stacionet e policisë mund të ketë të ndaluar të tjerë krahas listave të publikuara”, tha organizata OVD-Info. “Ne publikojmë vetëm emrat e personave për të cilët kemi njohuri të besueshme dhe emrat që mundemi t’i publikojmë”.

Agjencia Reuters nuk mundi t’i verifikojë këto shifra në mënyrë të pavarur. Policia ruse refuzoi të komentojë.


Shtuar 17.02.2024 21:55