Nga Roberta Cavaglia “Linkiesta”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Siç kishte ndodhur tashmë pas tërmetit të rëndë që goditi Izmirin në vitin 1999 dhe atij të Egjeut në vitin 2020, Greqia ishte një nga vendet e para që i ofroi ndihmë Turqinë pas tërmetit me magnitudë 7.8 ballë që goditi jugun e vendit natën midis së dielës dhe së hënës së kaluar.
Pavarësisht uljes së përkohshme të tensioneve diplomatike midis presidentëve Recep Tayyip Erdoğan dhe Kyriakos Mitsotakis dhe mirënjohjes së shfaqur nga populli turke (në Twitter, dhjetëra përdorues shkruan “Tesekkürler komsu”, “Faleminderit fqinjë”, në nivelin politik marrëdhëniet midis të dyja vendeve kanë qenë shumë të tendosura për vite dhe vazhdojnë të përshkallëzohen me afrimin e zgjedhjeve të planifikuara si në Greqi po ashtu dhe në Turqi në muajt maj dhe qershor.
Në qendër të tensioneve midis dy vendeve janë disa ishuj grekë në Mesdheun Lindor, të cilët ndodhen disa milje larg brigjeve turke. Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, rreth këtyre ishujve shtrihen “Zonat Ekskluzive Ekonomike” (ZEE), zona detare që pavarësisht afërsisë së madhe me Turqinë, i përkasin Greqisë.
Përplasja mbi përcaktimin e kufirit të këtyre ishujve vazhdon prej të paktën 50 vitesh. Por ajo është intensifikuar shumë pas zbulimit të vendburimeve të reja të gazit natyror në rajon, dhe pas politikës së jashtme agresive të mbështetur nga Erdogan, së cilës Greqia i është kundërpërgjigjur duke dërguar ushtarë dhe mjete ushtarake në ishujt e saj.
Shtatorin e vitit të kaluar presidenti turk e kërcënoi hapur Greqinë, duke deklaruar se ushtria turke mund të “zbarkonte papritur, në mesin e natës”. Ndërkohë në dhjetor ai paralajmëroi se nëse Greqia vazhdon të militarizojë zonën, raketat turke mund të godasin një ditë Athinën.
Por qasja e ashpër e Erdogan kundër Greqisë nuk nxitet vetëm nga arsyet territoriale. Vendi fqinj është një nga armiqtë e përsosur – së bashku me Bashkimin Evropian dhe popullsinë kurde – kundër të cilit ai mund të nxisë mbështetësit e tij nacionalistë në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Duke qenë në pushtet prej gati 20 vjetësh, Erdogan i ka përqendruar tek vetja kompetencat e presidentit, kryeministrit, kreut të partisë që ka shumicën parlamentare (AKP, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) por de fakto edhe ato të kreut të bankës qendrore, ushtrisë dhe medias që është në pjesën dërrmuese në favor të tij.
Por në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, i gjithë ky mbi-pushtet mund të mos mjaftojë për të fituar një mandat të ri. Në Turqi kriza ekonomike po vazhdon që nga viti 2018. Vjeshtën e vitit të kaluar, inflacioni arriti në nivelin 85 për qind.
Përballë rënies së mbështetjes së AKP-së, 6 parti turke kanë vendosur të bashkojnë forcat dhe të formojnë një koalicion të quajtur Aleanca Kombëtare, e cila publikoi në fund të janarit manifestin e saj elektoral. Por pavarësisht synimeve të tij të mira, koalicioni nuk ka arritur ende që të bjerë dakord për një kandidat që do ta përfaqësojë atë.
Në anën tjetër të Egjeut, kërcënimet turke janë një tjetër pretekst që Mitsotakis të ruajë reputacionin e tij si një udhëheqës serioz dhe i ndërgjegjshëm, i gatshëm për ta shpëtuar edhe një herë vendin nga kriza (ketë herë jo ekonomike por gjeopolitike).
Në mesin e muajit janar, gjatë Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, Mitsotakis deklaroi se Greqia “nuk do të hyjë në luftë me Turqinë”, duke e vënë theksin tek shanset e zgjidhjes diplomatike të mosmarrëveshjeve mbi ishujt në Mesdheun Lindor. “Ne duhet të jemi në gjendje që të ulemi në një tryezë me Turqinë si dy persona të rritur të përgjegjshëm”- shtoi ai.
Erdogan e vazhdoi lojën e tij, duke u shprehur se “Mitsotakis mund të thotë çfarë të dojë, por fjalët e tij nuk mjaftojnë për të ndryshuar fatin e rajonit.” Edhe për kryeministrin grek, reputacioni që ka ndërtuar vitet e fundit në qeverisjen e vendit, mund të mos i qëndrojë dot testit të sondazheve.
Në harkun kohor të disa muajve, ai ka qenë në qendër të një hetimi parlamentar mbi skandalin i përgjimit të shumë gazetarëve dhe politikanëve grekë. Javën e kaluar Mitsotakis dhe partia e tij Demokracia e Re i mbijetuan një mocioni mosbesimi në parlament të propozuar nga kreu i partisë kryesore opozitare, Syriza, ish-kryeministri Alexis Tsipras.
Edhe pse partia e kryeministri grek ka qenë prej muajsh në krye të sondazheve me një normë të qëndrueshme mbështetje prej 37 për qind, skandali i përgjimeve mund ta pengojë atë të gjejë aleatët që i nevojiten për të qëndruar në qeveri, sidomos pas miratimit të ligjit të ri zgjedhor të një sistemi proporcional.
Tsipras e quajti “një fitore si të Pirros” rezultatin e mocionit të mosbesimit, që sipas tij nuk do ta pengojë humbjen e kryeministrit në zgjedhje. Syriza planifikon që të bashkohet në një koalicin parazgjedhore me PASOK, Partinë Socialiste greke, për të formuar pas zgjedhjeve një qeveri koalicioni.
Edhe pse eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili u arrestua në kuadrin e “Qatargate”, PASOK nuk duket se e ka humbur mbështetjen e votuesve të saj, edhe sepse kreu i saj Nikos Androulakis u distancua menjëherë nga Kaili dhe zgjedhjet e saj politike.
“Demokracia e Re e Mitsotakis e ka përdorur atë si një Kalë Troje, dhe tani bën sikur nuk e njeh”- tha Androulakis pak ditë pas arrestimit të ish-zëvendëspresidentes të Parlamentit Europian. Sipas Euractiv, marrëdhëniet midis të dyve kishin qenë të tensionuara prej disa kohësh.
Në shumë raste Kaili kishte devijuar nga linja e partisë, duke minimizuar rëndësinë e rastit të spiunazhit, viktimë e të cilit ishte vetë Androulakis, dhe duke votuar në favor të kandidatit konservator të grupit të Partive Popullore Evropiane si sekretarin e ri të Parlamentit Evropian.
Menaxhimi i pasojave të tërmetit që goditi Turqinë Jugore, do të jetë një provë e madhe për Erdoganin, suksesi i të cilit mund të zbutë për një moment pakënaqësinë popullore me krizën ekonomike dhe t’i japë atij mundësinë të fitojë zgjedhjet.
Për Mitsotakis, sfida do të jetë më e vështirë dhe mungesa e një rezultati përfundimtar në raundin e parë të zgjedhjeve mund të jetë fillesa e një fazë të paqëndrueshmërie politike në Greqi. Për të dy, ideja e të pasurit një armik në anën tjetër të Mesdheut nuk është një gjë e keqe, por një domosdoshmëri politike në përpjekjen për të mbetur në pushtet. /albeu.com