Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Gjirin Ha Long, një prej destinacioneve më të njohura turistike të Vietnamit, ku një anije turistike është përmbysur gjatë një stuhie të papritur, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 34 personave, ndërsa disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas autoriteteve lokale, incidenti ndodhi si pasojë e motit të keq me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, që kanë penguar ndjeshëm përpjekjet për shpëtim. Deri më tani, 11 persona janë nxjerrë të gjallë nga uji, ndërsa kërkimet për të mbijetuarit vazhdojnë.
Anija turistike, e identifikuar me emrin Wonder Seas, kishte në bord 53 persona, shumica prej tyre familje vietnameze nga kryeqyteti Hanoi, të cilët kishin ardhur për vizitë në këtë zonë piktoreske.
Sipas një deklarate të Rojes Kufitare dhe Marinës Vietnameze, anija është përballur me një stuhi të papritur, e cila e ka përmbysur në mes të gjirit. Ekipet e shpëtimit janë në terren, por kushtet atmosferike të vështira vazhdojnë të pengojnë ndërhyrjen.
Gjiri Ha Long është një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s dhe një ndër atraksionet më të frekuentuara në Vietnam, i njohur për peizazhin me ishuj gëlqerorë dhe ujërat e qeta – por në raste të rralla mund të preket nga moti ekstrem.
Autoritetet vietnameze kanë nisur hetimet për të sqaruar nëse janë respektuar masa të duhura sigurie dhe nëse ka pasur paralajmërime për stuhinë në momentin e nisjes së udhëtimit.