Akuza për genocid në Gaza, Prokuroria e Stambollit lëshon urdhërarrest për 37 persona, mes tyre edhe Netanyahu

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka lëshuar të premten urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe 36 persona të tjerë, nën akuzën për gjenocid, në lidhje me operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Sipas një deklarate për shtyp të datës 7 nëntor 2025, urdhrat e arrestit përfshijnë zyrtarë të lartë izraelitë, mes tyre ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, ministrin e Kufijve dhe Sigurisë Eyal Zamir, si dhe komandantin e Forcave Detare izraelite David Saar Salama.

Hetimi fokusohet në atë që autoritetet turke e përshkruajnë si dhunë sistematike ndaj civilëve në Gaza.

Prokuroria ka përmendur disa ngjarje konkrete që datojnë që nga tetori i vitit 2023, përfshirë sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist më 17 tetor 2023 dhe dëmtimin e Spitalit Ebli Baptist më 21 tetor 2023, të cilat shkaktuan shumë viktima civile.

Në dosje përfshihet gjithashtu vrasja e punonjësve të organizatës humanitare “World Central Kitchen” më 1 prill 2024, kur disa anëtarë të stafit u goditën gjatë misioneve të ndihmës.

Akuzat bazohen në pretendime se forcat izraelite kanë synuar në mënyrë të qëllimshme civilët dhe infrastrukturën në Gaza, duke bllokuar ndihmën humanitare dhe qasjen në shërbime mjekësore.

Prokurorët përmendin gjithashtu deklaratat e lëshuara nga “Sumud Flotilla”, që kishte tentuar të dërgonte ndihma drejt Gazës përmes rrugëve detare.

Hetimi u nis pas disa ankesave të paraqitura në gjykatat e Stambollit më 4, 7, 9 dhe 10 tetor 2025. Autoritetet turke zhvilluan hetimet nën juridiksionin e Gjykatës së Drejtësisë së Stambollit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.

Prokuroria theksoi se urdhrat e arrestit janë lëshuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, duke përshkruar veprimet e pretenduara si krime kundër njerëzimit që kërkojnë hetim të vazhdueshëm.

Turqia ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit në tetor 2023. Në vazhdën e konfliktit, qeveria turke ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Izraelin.


Shtuar 7.11.2025 19:56

Tags: , ,