Ka shkuar në 290 numri i personave që kanë vdekur pasi një aeroplan i Air India u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit në Indi të enjten. Midis viktimave janë pasagjerët në fluturim dhe njerëzit që ishin brenda konviktit të Kolegjit Mjekësor dhe Spitalit BJ kur avioni u përplas me të.
“Afërsisht 294 persona kanë vdekur. Këtu përfshihen disa studentë, ndërsa aeroplani u rrëzua mbi ndërtesën ku po qëndronin”, tha për Reuters Vidhi Chaudhary, një oficer i lartë i policisë shtetërore.
Më herët të enjten, Swapnil Bhalodia i Rrjetit të Studentëve të Mjekësisë të Shoqatës Indiane Mjekësore tha se të paktën tre studentë të mjekësisë kishin vdekur në aksident dhe 30 të tjerë u plagosën. Aeroplani po udhëtonte për në aeroportin Gatwick të Londrës dhe mbante shtetas indianë, britanikë, kanadezë dhe portugezë.
Ndërkohë deri më tani është raportuar për një të mbijetuar nga aksidenti tragjik. Ai mësohet se ishte ulur në sediljen 11A të avionit Boeing. Sedilja e tij ndodhej pranë njërës prej daljeve të emergjencës së avionit. Pasagjeri vetë përshkroi se kishte parë trupa pranë tij përpara se të ngrihej dhe të dilte me vrap nga avioni pas rrëzimit. 39-vjeçari pësoi vetëm lëndime të lehta në fytyrë, gjoks dhe këmbë.