A do të arrihet një armëpushim i dytë? Katari dhe Izraeli në përpjekje të një marrëveshjeje të dytë me Hamasin

Zyrtarë nga Izraeli dhe Katari do të takohen të shtunën në Norvegji në një përpjekje për të përtëritur bisedimet për lirimin e personave që mbahen peng në Gazë nga Hamasi në këmbim të një armëpushimi dhe lirimit të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, njoftoi të shtunën gazeta “Wall Street Journal”.

Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, do të takohet në Oslo me zotin David Barnea, drejtor i agjencisë së zbulimit izraelit Mosad, thotë gazeta amerikane e cila citon individë që kanë dijeni për çështjen në fjalë. Zoti Barnea gjithashtu ka të ngjarë të takohet me zyrtarë egjiptianë, njofton gazeta “Wall Street Journal”.

Pengesa të mëdha kanë frenuar rifillimin e negociatave për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve, përfshirë mosmarrëveshjet e mundshme brenda Hamasit, shtoi raporti, duke cituar njerëz që kanë njohuri për bisedimet.

Gjatë një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit, Hamasi liroi më shumë se 100 gra, fëmijë dhe të huaj që mbante peng në Gazë në këmbim të lirimit nga Izraeli të 240 grave dhe adoleshentëve.


Shtuar 16.12.2023 16:49