Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh zhgënjimin për trajtimin e mijëra personave në Rripin e Gazës, të cilët duhet të transferohen jashtë kësaj zone për të marrë trajtimin e duhur. Sipas të dhënave, rreth 8000 pacientë duhet të zhvendosen në zona të tjera, pasi vetëm një numër i vogël prej tyre kanë mundur të transferohen deri më tani.
OBSH ka vendosur ekipe në terren për të ofruar mbështetje logjistike dhe mjekësore dhe thotë se zhvendosja e pacientëve nga Gaza do të ofronte një lehtësim të konsiderueshëm për ekipet mjekësore dhe spitalet që janë në frontin e luftës për të siguruar trajtimin e nevojshëm në një zonë konflikti.
“Ne vlerësojmë se 8,000 Gazanë duhet të zhvendosen nga Gaza,” tha Rick Peppercorn, përfaqësuesi i OBSH-së në territoret palestineze, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë nëpërmjet video-konferencës nga Jerusalemi.
Nga 8,000 pacientë , rreth 6,000 janë viktima të luftës, lëndime të shumta, djegie dhe të amputuar. 2000 janë pacientë që nuk mund të marrin kujdesin që u nevojitet në Gaza, ku sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit. Rick Peppercorn theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe autoritetet e Gazës, Izraelit dhe Egjiptit janë të përfshirë në procesin e ngadalshëm të parashikuar për transferimin e pacientëve.
“Ne do të donim të shohim dhe po bëjmë presion për një transport të organizuar dhe të mbështetur për të ofruar kujdes mjekësor, si për të mirën e pacientëve ashtu edhe për të lehtësuar disa nga presioni i madh mbi shërbimet shëndetësore të shkatërruara të Gazës,” tha Rick Peppercorn.