45 të vrarë në Rafah, mes tyre fëmijë, Netanyahu: Vdekja e civilëve nga bombardimet izraelite aksident

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti vdekjen e dhjetëra civilëve palestinezë pas sulmit ajror izraelit në Rafah, një “aksident tragjik”.

Të paktën 45 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe rreth 250 të tjerë u plagosën pas sulmit në një kamp të personave të zhvendosur në Rafah të dielën mbrëma.

Duke folur në Knesset, Netanyahu pretendoi se vdekjet e civilëve ndodhën pasi forcat izraelite shënjestruan anëtarët e Hamasit në Rafah.

“Ne po shqyrtojmë incidentin, kjo është politika jonë”, shtoi kryeministri izraelit.

Sulmi i së dielës ndodhi pranë bazës logjistike të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNRWA) në Tal al-Sultan, sipas zyrës së mediave të qeverisë së Gazës.

Ushtria izraelite e kishte identifikuar më parë kampin që bombardoi në Rafah si “brenda zonave të sigurta ku kërkohet të shkojnë të zhvendosurit”.

Ushtria pretendoi se sulmi kishte në shënjestër një kompleks të Hamasit në Rafah./albeu.com


Shtuar 27.05.2024 20:00