38 të vrarë në ditë, nxjerrja e ushtrisë në rrugë jep rezultate në Ekuador, Presidenti: Do ta fitojmë këtë betejë

Presidenti ekuadorian Daniel Noboa tha të hënën (22 janar) se shkalla e vrasjeve po binte në vend, pasi një gjendje e jashtëzakonshme u vendos në vendin e Andeve për të rivendosur ligjin dhe rendin.

“Ne kishim gjithçka kundër nesh, por ne po e fitojmë këtë betejë. Vdekjet e dhunshme kanë shkuar nga 38 në ditë në gjashtë në ditë. Qëllimi është paqja, qëllimi është të shohim fëmijët dhe të rinjtë tanë duke ecur pa frikë në parqe dhe sheshe. Ditët pavendosmëria dhe paqartësia kanë marrë fund”, tha ai.

“Kjo betejë do të jetë e palodhur. Nuk do të jetë e lehtë, do t’ia dalim, por do të ketë momente të vështira, ajo që nuk do të na mungojë kurrë do të jetë vendosmëria e popullit ekuadorian, e policisë kombëtare, e Forcave tona të Armatosura dhe këtij presidenti. Të fitojmë. Së bashku jemi të pathyeshëm dhe do ta shohim edhe një herë vendin tonë të lirë”, shtoi ai.

Noboa ishte në Quito të hënën për të siguruar pajisje të reja për policinë në luftën e tyre kundër krimit të organizuar. Ndër pajisjet e reja të dorëzuara gjatë ceremonisë janë 3,000 jelek antiplumb, 1,752 pajisje komunikimi dhe katër robotë për punën kundër eksplozivëve, njoftuan mediat lokale.


Shtuar 22.01.2024 23:11