18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Vuçiç: “Kutia e Pandorës” e padrejtësisë dhe shkatërrimit të shteteve u hap me njohjen e saj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar në lidhje 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë një interviste për mediat serbe, Vuçiç është shprehur se është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike ishin pasojat e shkaktuara nga veprimet e gabuara, jo vetëm për Serbinë, por edhe për Evropën.

Ai akuzoi NATO-n, Evropën dhe SHBA-në se në atë periudhë vepruan duke anashkaluar të drejtën ndërkombëtare. Sipas tij, me njohjen e pavarësisë së Kosovës u hap “Kutia e Pandorës” e padrejtësisë dhe shkatërrimit të shteteve sovrane.

Vuçiç pranoi se edhe Serbia ka bërë gabime në vitet 1990 dhe 2000. Kjo duke përmendur mungesën e një lidershipi të fortë dhe konfliktet e brendshme politike, të cilat sipas tij prodhuan tensione.

“Është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike ishin pasojat, jo vetëm për Serbinë, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën dhe botën ato vendime tepër të gabuara. Si NATO, ashtu edhe Evropa dhe Amerika në vitin 2008 dhe sigurisht edhe në vitin 1999… me vendimin e të fuqishmëve, të cilët në atë kohë as nuk interesoheshin dhe për të drejtën ndërkombëtare.

Ata mendonin se ishin të gjithëpushtetshëm dhe të plotfuqishëm, se ishin përfaqësues të Zotit të cilët, me mjetet, armët dhe pasurinë e tyre të madhe, mund të shpërndanin drejtësi me zjarr dhe shpatë ashtu siç dëshironin. Ata duhet të shpjegojnë dhe të përdorin të njëjtat argumente që përdorëm ne 18 ose 27 vjet më parë. Është e qartë se fillimi i rënies së rendit botëror ishte në atë periudhë midis viteve 1999 dhe 2008.

Mund të flas edhe për gabimet tona në vitet ’90 dhe 2000 me angazhimin e pamjaftueshëm, për konfliktet e brendshme që prodhuan tensione në atë kohë dhe kur nuk kishim një lidership mjaftueshëm të fortë për të mbështetur popullin dhe vendin e tyre, ata shqetësoheshin vetëm për një lloj rezultati zgjedhor, por në fund të fundit, kanë kaluar 18 vjet, çdo vit po bëhet më e vështirë, por ata nuk arritën ta thyenin Serbinë”, tha Vuçiç.