Bota vazhdon të lëvizë drejt recesionit dhe ndoshta, edhe krizës financiare

Nga: Les Nemethy, CEO, Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., ish bankier në Bankën Botërore

Nivelet e larta të borxhit globalisht (qeveria, individët, korporatat – që arrijnë në një total prej mbi 350 trilionë dollarësh), vetëm sa rrisin brishtësinë ekonomike globale dhe ulin aftësinë për të toleruar norma më të larta interesi.

Muajin e kaluar, kam udhëtuar në Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore, ku kam takuar mjaft njerëz, duke përfshirë bankierë, dhe në përgjithësi, kam qenë i befasuar nga ndjenja “business as usual”.

Nuk ekziston ndjesia se po afrohet një ngadalësim apo recesion. Disa nga arsyet për këtë, janë:

-fuqia e tregut të punës në SHBA;

-nivele të larta të kursimeve agregate dhe depozitave bankare të konsumatorëve amerikanë.

-deficiti federal i SHBA-së është ulur në 1.1 trilionë dollarë në maj 2022, nga një maksimum prej 4.3 trilionë dollarësh në mars 2021 (i matur në një bazë 12- mujore).

Pse mendoj se ky besim është i gabuar?

-Indeksi i besimit të konsumatorëve në Michigan është në nivelin më të ulët që nga viti 1980.

-Shpërndarja e këtyre kursimeve është e pabarabartë. 60% e amerikanëve kanë pak ose aspak kursime.

-Raportimi i vendeve të punës kryhet me vonesë dhe numri i të papunëve tashmë ka filluar të rritet.

-Rritja nominale në tremujorin e parë në SHBA ishte -1.5%.

-S&P ka rënë me 18.2% në 111 ditët e para të tregtimit në vitin 2022, performanca e katërt më e keqe që nga viti 1932, duke ulur besimin e konsumatorëve dhe investitorëve.

-Inflacioni vazhdon të rritet në shumicën e vendeve të botës, duke bërë më të mundur rritjen e mëtejshme të normave të interesit, ngadalësimin ekonomik dhe rënien e indekseve të bursës.

-Yield-et e obligacioneve në përgjithësi po rriten me shpejtësi në mbarë botën (p.sh. në Gjermani, ato shkuan nga negative një vit më parë, në mbi 1.5% më 10 qershor), ndërsa yield-et në periferi të BE-së po rriten edhe më shpejt (p.sh. një vit më parë, yield-et e obligacioneve italiane 10-vjeçare ishin rreth 1% më të larta se ato gjermane, sot janë mbi 2% më të larta).

Yield-i i obligacioneve italiane 10-vjeçare është rritur nga 1% në fillim të vitit 2022, në 3,86% më 1 qershor, pavarësisht blerjeve masive të obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane (BQE). Ndërsa shumica besojnë se BQE do të bëjë “çfarëdo që të jetë e nevojshme për të shpëtuar euron” (siç deklaroi Mario Draghi në vitin 2012, duke e kthyer valën e krizës së atëhershme të euros), madhësia dhe shpejtësia e lëvizjes së normave të obligacioneve italiane, është shkak për shqetësim.

Ndërsa Rezerva Federale e SHBA-së rrit normat e interesit, normat reale negative të interesit prej -7%, tregojnë se politika monetare është ende e lirshme.

Banka Qendrore Europiane nuk po jep sinjale as për shtrëngimin sasior; ajo ka hapësirë të kufizuar për të rritur normat e interesit, për shkak të efekteve që kjo do të shkaktonte në vendet periferike të BE-së, dhe për më tepër, politika monetare europiane është edhe më e lirshme:

Pasi deklaroi se inflacioni nuk ishte një kërcënim, dhe më pas e quajti atë “kalimtar”, sekretarja e Departamentit të Thesarit, Yellen, pranoi se kishte gabuar në vlerësimin e saj për inflacionin (një hap i mirëpritur), por shtoi: “Nuk pres që inflacioni të mbetet i lartë, megjithëse shpresoj se tani do të ulet”. Që kur është kthyer shpresa në strategji?

Pritshmëritë

Siç e shpjegova në një artikull të mëparshëm, parashikoj se Rezerva Federale do të vazhdojë të tregohet e shtrënguar, deri sa diçka të dëmtohet (p.sh. ndonjë rënie e madhe e tregut ose ngecja në vend e tregjeve të kredisë etj.) dhe më pas, do të fillojë programin e saj të pestë të Lehtësimit Sasior (Quantitative Easing).

Siç tha Peter Schiff: “Gabimi më i madh që po bëjnë investitorët (dhe unë do të shtoja, Bankat Qendrore), është se mendojnë që recesioni do të zgjidhë problemin e inflacionit. Në të vërtetë, ai veçse do ta përkeqësojë atë. Kur Rezerva Federale të ndryshojë drejtim dhe të nisë lehtësimin e pestë sasior për të stimuluar ekonominë, dollari do të bjerë, duke përshpejtuar rritjen e çmimeve të konsumit.

Siç deklaroi kohët e fundit makrostrategia Lyn Alden, ekzistojnë dy faktorë kryesorë të ofertës që ripërcaktojnë ekonominë botërore, sot:

1.Për të paktën dekadën e fundit, ka pasur një nëninvestim masiv në energji. Shpimi i hidrokarbureve ka rënë. Tubacioni Keystone u anulua. Programet e uraniumit janë mbyllur (p.sh. në Gjermani); asnjë kapacitet i ri i minierave të uraniumit nuk është zhvilluar që nga koha e Fukushimës. Ndërkohë, furnizimi i pamjaftueshëm me mineralet e nevojshme për zhvillimin e energjive alternative (nikel, litium, bakër etj.) kufizon kapacitetin.

2.Për dekada me radhë, zinxhiri global i vlerës u optimizua me synim efikasitetin. Që nga lufta në Ukrainë, prioritetet kanë ndryshuar dhe papritur, përparësi u bë siguria e furnizimit. Prodhimi më pranë vendit, mbajtja e më shumë inventarëve, etj., kërkon investime masive dhe kontribuon në rritjen e konsiderueshme të çmimeve.

Bankat qendrore nuk kanë kontroll mbi faktorët e mësipërm. Ato nuk kanë as kontroll mbi Covid-19 dhe luftën në Ukrainë, që kanë përkeqësuar edhe më tepër zinxhirët e furnizimit dhe presionin e çmimeve.

Megjithëse interesat më të larta mund të zbehin kërkesën, për sa kohë që normat e interesit janë negative në terma realë, zbutja e kërkesës nuk do të mjaftojë për të shuar inflacionin, veçanërisht nëse presionet e lartpërmendura mbi zinxhirët e furnizimit, do të vazhdojnë apo edhe do të theksohen.

Nivelet e larta të borxhit globalisht (qeveria, individët, korporatat – që arrijnë në një total prej mbi 350 trilionë dollarësh), vetëm sa rrisin brishtësinë ekonomike globale dhe ulin aftësinë për të toleruar norma më të larta interesi.

*Ky artikull është vetëm për qëllime edukative dhe nuk duhet të interpretohet si këshillë investimi. Investitorët duhet të marrin këshilla vetjake për investimet e tyre.

Çfarë po ndodh

Për dekada me radhë, zinxhiri global i vlerës u optimizua me synim efikasitetin. Që nga lufta në Ukrainë, prioritetet kanë ndryshuar dhe papritur, përparësi u bë siguria e furnizimit. Prodhimi më pranë vendit, mbajtja e më shumë inventarëve, etj., kërkon investime masive dhe kontribuon në rritjen e konsiderueshme të çmimeve. Bankat qendrore nuk kanë kontroll mbi faktorët e mësipërm./monitor