Bota duhet të përgatitet për kriza të tjera shëndetësore si pandemia

Nga José Manuel Barroso “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vështirësitë, krizat, katastrofat dhe gabimet, ofrojnë shpeshherë njohuritë më të vlefshme. Pandemia e Covid-19 është një rast i tillë. Me gjithë vuajtjet që ka shkaktuar virusi, ai na ka mësuar gjithashtu hapat që duhet të ndërmarrin vendet, si kolektivisht ashtu edhe individualisht, për t’u përgatitur për emergjencat e ardhshme globale të shëndetit publik.

Tani që pandemia duket se ka përfunduar, shtrohet pyetja nëse udhëheqësit në mbarë botën do t’i nxënë realisht mësimet e saj. Dhe kjo nuk është një pyetje e parëndësishme. Gjatë dekadave të fundit, shpërthimet e sëmundjeve epidemike kanë shkaktuar një cikël të përsëritur paniku dhe neglizhence midis politikë-bërësve.

Por nën dritën e dëmeve të mëdha njerëzore, ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga Covid-19, ne mund dhe duhet që ta prishim këtë model sjellje. Në rast se Covid-19 na ka mësuar diçka, ky është mësimi se faktorë të tillë si ndryshimi i klimës, cenimi i habitateve të kafshëve të egra, rritja e popullsisë, urbanizimi dhe udhëtimet me kosto të ulët, e bëjnë të ketë gjithnjë e më shumë mundësi që të përballemi me pandemi më shkatërruese në të një ardhme jo shumë të largët.

Një studim i vitit 2021, zbuloi se “probabiliteti vjetor” i epidemive ekstreme mund të “rritet deri në 3-fish” gjatë dekadave të ardhshme. Ndaj do të ishte një sjellje jashtëzakonisht e pamatur të mos ndërmerren që tani veprime vendimtare për ta zbehur këtë kërcënim të mundshëm.

Një leksion tjetër vendimtar nga Covid-19, është se të gjitha vendet duhet të kenë sisteme të fuqishme shëndetësore të afta të reagojnë shpejt dhe me efektivitet një emergjence, duke adresuar njëkohësisht edhe nevojat e vazhdueshme të kujdesit shëndetësor.

Sepse edhe vendet me burime të mira e patën shumë të vështirë të ishin në lartësinë e situatës gjatë pandemisë, duke sjellë miliona të vdekur dhe dëme ekonomike të rënda. Qeveritë në mbarë botën i detyrohen qytetarëve të tyre të ndërmarrin që tani investime të rëndësishme dhe të qëndrueshme në fusha të tilla si mbikëqyrja e sëmundjeve, aftësitë e reagimit ndaj shpërthimeve epidemike, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor dhe trajnimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Investime të tilla nevojiten jo vetëm në vendet më të pasura, por edhe në ato me të ardhura më të ulëta që nuk mund t’i përballojnë dot vetë. E gjitha kjo nënvizon domosdoshmërinë që vendet e pasura të ndërhyjnë dhe ofrojnë një ndihmë domethënëse ndaj vendeve më të varfra.

Gjatë gjithë pandemisë dhe duke e pranuar se patogjenët vdekjeprurës janë indiferentë ndaj kufijve kombëtarë, qeveritë e këtyre vendeve e përsëritën moton se “askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”. E megjithatë, pavarësisht kësaj retorike, vendet me të ardhura më të ulëta e gjetën veten të fundit në radhë për diagnostikime, vaksina, trajtime, dhe furnizime të tjera të rëndësishme.

GAVI-t, Aleancës së Vaksinave (bordin i të cilës drejtohet nga unë) iu desh të priste disa muaj përpara se nisma COVAX që prezantoi në vitin 2020, të arrinte të kapërcente grumbullimin e vaksinave nga shtetet më të fuqishme dhe ndalimet e eksportit, dhe të fillonte të dërgonte sasi të konsiderueshme për vendet më në nevojë.

Lajmi i mirë është se sigurimi i qasjes së barabartë tek vaksina dhe ndërhyrje të tjera thelbësore, është një synim i arritshëm. Ekzistojnë disa hapa që mund të ndërmerren nga qeveritë për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme dhe për të siguruar që të gjitha vendet, pavarësisht pasurisë që kanë, të kenë burimet që u nevojiten për të menaxhuar krizën.

Së pari, në vend se të mblidhen para gjatë një emergjence, mjetet inovative të financimit mund të sigurojnë një financim paraprak dhe të garantojnë që ai të jetë gati për t’u përdorur menjëherë. Për më tepër, kriza e Covid-19 tregoi se përqendrimi i një pjese të madhe të prodhimit të vaksinave në botë në Veriun Global, mund të pengojë seriozisht qasjen e barabartë tek ato.

Duke pasur parasysh këtë rrezik, Komisioni i Bashkimit Afrikan dhe GAVI, kanë njoftuar së fundmi një përpjekje të përbashkët për të ngritur fabrika të prodhimit të vaksinave në disa dhjetëra vende në të gjithë Afrikën.

Ky rrjet prodhues mund t’i minimizojë pengesat e mundshme të furnizimit dhe të rrisë disponueshmërinë e vaksinave të tjera jetike, si ato kundër kolerës, për të cilën prodhimi aktual nuk arrin të plotësojë kërkesën.

Nisma si marrëveshja për pandeminë , mbi të cilën po debatohet aktualisht midis shteteve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, premtojnë të promovojnë barazinë dhe një efektivitet më të madh në parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë.

Në një kohë që janë ende në vazhdim negociatat mbi detajet, dhe ka shumë të ngjarë që ato të vazhdojnë derisa marrëveshja të votohet në Asamblenë Botërore të Shëndetit të vitit 2024, qeveritë mund të përfitojnë nga pjesëmarrja në këtë proces dhe duhet të angazhohen që t’i përmbahen marrëveshjes pasi ajo të miratohet.

Megjithëse Covid-19 nuk dominon më titujt e lajmeve, është thelbësore që ne të ruajmë vullnetin politik për të siguruar një qasje të barabartë tek vaksinat, dhe të mos rikthehemi me tek vetëkënaqësia që kishim para pandemisë.

Udhëheqësit e sotëm politikë, gjenden përpara një mundësie historike për të nxitur ndërtimin e një rendi global më gjithëpërfshirës. Po ashtu ata kanë përgjegjësinë të veprojnë me guxim përpara emergjencës së ardhshme të shëndetit publik. Dështimi për ta bërë këtë, do të na dënojë të gjithëve që të përjetojmë sërish traumat e 3 viteve të fundit.

Shënim:José Manuel Barroso, ish-president i Komisionit Evropian dhe ish-kryeministër i Portugalisë. Aktualisht kryetar i Bordit të GAVI-it, Aleanca globale e Vaksinave.

/albeu.com


Shtuar 10.08.2023 12:42

Tags: