Borxhet e ndërmarrjeve ushtarake shlyhen me 2.4 mln euro nga VKM/ Përfshihen uzina e Mjekësit, Gramshit dhe Kombinati Mekanik i Poliçanit

Këshilli i ministrave ka miratuar fondin me vlerë 2.4 milionë euro për shlyerjen e detyrimeve financiare të ndërmarrjeve shtetërore ushtarake. Konkretisht bëhet fjalë për Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan. Gjithashtu në vendimin e qeverisë thuhet se të gjitha detyrimet që këto ndërmarrje kanë ndaj palëve të treta do të shlyhen brenda 30 ditëve.

Vendimi:

V E N D I M PËR SHLYERJEN E DETYRIMEVE FINANCIARE NDAJ TË TRETËVE TË NDËRMARRJEVE SHTETËRORE USHTARAKE. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake”, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

Shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj të tretëve, në masën 244 541 460 (dyqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e dyzet e një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, të ndërmarrjeve shtetërore Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan, nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, detajuar sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Efektet financiare, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2025, për Ministrinë e Mbrojtjes, në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij.

Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Shtuar 19.06.2025 18:43