Borrell: Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u kërkon institucioneve shqiptare të përshpejtojnë reformat.

Një ditë para vizitës së tij në Tiranë, zyrtari i lartë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, e cilëson Shqipërinë një partner të fortë dhe të besueshëm në qëndrimet e saj të unifikuara sa i takon politikës së jashtme të Bashkimit Europian. Në lidhje me dialogun Kosovë Serbi, zoti Borrel shprehet se vendet e BE-së kanë pritshmëri të larta nga ky dialog dhe në arritjen e një marrëveshjeje, e cila do të jetë e zbatueshme.

U bë më shumë se një vit nga lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ukrainasit po rezistojnë heroikisht, bota demokratike perëndimore po e mbështet rezistencën e tyre. Së fundmi keni thënë se kjo luftë është një sfidë për sigurinë tonë dhe një sfidë ekzistenciale për Evropën. Si e shihni vitin e ardhshëm, ndërkohë që brutaliteti i luftës është rikthyer në truallin evropian?

Putini ka rikthyer luftën në Evropë dhe ka përkeqësuar paqëndrueshmërinë dhe krizat në mbarë botën. Agresioni i vazhdueshëm i paligjshëm rus kundër Ukrainës është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Evropë, por globalisht. Pasiguria ushqimore dhe energjetike, si dhe inflacioni në rritje janë pasoja të drejtpërdrejta të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kam frikë se do të na duhet të përballemi me këtë edhe këtë vit. Fatkeqësisht, kjo nuk është sfida e vetme. Në Lindjen e Mesme, dhuna po shtohet në Territorin e Pushtuar Palestinez dhe në Izrael. Nuk i duket fundi në horizont një prej krizave më pak të raportuara – konflikti në Jemen. Shohim sfida të rendit demokratik në disa vende të Amerikës Latine, pushtime ushtarake në disa vende në Afrikë. Shtojini kësaj ndryshimin klimatik dhe problemet që lidhen me të, si thatësirat apo përmbytjet e mëdha. Kjo është arsyeja pse duhet të investojmë për zgjidhje shumëpalëshe për një botë që është plot kriza dhe sfida. Kjo mund të bëhet vetëm duke bashkuar forcat, me përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është edhe filozofia që drejton marrëdhëniet tona me Shqipërinë, e cila përtej të qenit një shtet i ardhshëm anëtar i BE-së është gjithashtu një lojtare e rëndësishme në arenën ndërkombëtare përmes vendit së vet aktualisht në Këshillin e Sigurimit të OKBsë. Së bashku jemi më të fortë dhe mund të përballemi më mirë me botën e paqëndrueshme dhe sfiduese që na rrethon.

BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, një objektiv i përbashkët strategjik që bashkon rajonin dhe BE-në. Bisedimet e anëtarësimit vazhdojnë me Malin e Zi dhe Serbinë; negociatat e anëtarësimit, konkretisht i ashtuquajturi procesi i shqyrtimit analitik, tani është duke u zhvilluar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; Bosnjë dhe Hercegovinës i është dhënë statusi i vendit kandidatit për në BE me kusht që të zbatojë disa hapa reformash në sektorë kyç; dhe Kosova është një kandidat potencial për anëtarësim në BE. Si do ta vlerësonit anëtarësimin në BE si një nxitje, si një mjet për të çuar përpara reformat e nevojshme në Ballkanin Perëndimor, një rajon që gjeopolitikisht ka një rëndësi të veçantë për BE-në?

Politika e zgjerimit të BEsë është më shumë se kurrë një investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të kontinentit tonë. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin gjeopolitik dhe po vë në provë rendin e bazuar te rregullat. Është në interesin tonë të përbashkët – si në interesin strategjik të rajonit ashtu dhe të BE-së – pasi është thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë si i tërë që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë të përparojnë drejt anëtarësimit në BE duke përqafuar dhe mbrojtur plotësisht demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, të cilat janë në qendër të vlerave të BE-së. Në fillim të integrimit evropian, BE-ja numëronte 6 shtete anëtare. Sot jemi 27 dhe 10 vende të tjera janë të interesuara për t’u bashkuar. Është e vështirë të mendosh për ndonjë politikë tjetër të BEsë që të ketë qenë më transformuese për kontinentin evropian sesa zgjerimi. Ai transformon vërtet, duke sjellë më shumë stabilitet dhe prosperitet për të gjithë ata që janë brenda tij.

BE-ja u ofron partnerëve të Ballkanit Perëndimor mbështetje politike, financiare dhe teknike, për t’i ndihmuar të zbatojnë reformat e nevojshme dhe për t’u përafruar me rregullat dhe rregulloret e BE-së. Qytetarët dhe kompanitë nga rajoni tashmë po marrin pjesë në programet e BE-së që operojnë në vetë Bashkimin Evropian, si Erasmus+ që mbështet shkëmbimet studentore dhe Creative Europe, duke mbështetur projekte bashkëpunimi në fushën e kulturës.

BE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë partnerët e vet të Ballkanit Perëndimor për të ndërmarrë reformat e nevojshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Të mos harrojmë se me mbi 29.5 miliardë Euro të angazhuara që nga viti 2007 në rajon, BE-ja është deri tani investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor.

Dhe përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, BE-ja po mobilizon afërsisht 30 miliardë euro për të mbështetur rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, për të nxitur integrimin e tij ekonomik dhe konvergjencën me BE-në.

Si i vlerësoni marrëdhëniet BE-Shqipëri? Shqipëria shpesh merr lëvdata për linjëzimin e saj të plotë me politikën e jashtme të BE-së. Çfarë do të thotë kjo për BE-në? Dhe çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Kjo do të thotë se Shqipëria tashmë po sillet si një anëtare e plotë e BE-së kur bëhet fjalë për vendimet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për BE në – linjëzimi i Shqipërisë i bën vendimet tona më të forta dhe më me ndikim. Për Shqipërinë kjo do të thotë se është pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Gjithashtu, tregon në praktikë, se deklaratat e shqiptarëve, në fakt, pasohen me veprime. Kjo rrit besueshmërinë dhe sigurinë e vendit në sytë e partnerëve.

Kjo ka një rëndësi të shtuar në kontekstin e realitetit të ri gjeopolitik të krijuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e vet strategjik, duke ruajtur rekordin e saj të linjëzimit 100% me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BEsë, përfshi edhe sa u përket sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Shqipëria ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2022 për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar te rregullat. Për BE-në kjo do të thotë se Shqipëria është një partner i fortë dhe i besueshëm. Ky është një tipar thelbësor për një vend që ndan kufijtë me BE-në dhe që synon të hyjë në BE.

Në fusha të tjera, kemi bërë një hap gjigant përpara vitin e kaluar me fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, gjë që në vetvete nuk do të kishte qenë e mundur pa përpjekjet për reforma të Shqipërisë, veçanërisht reformën në drejtësi. Procesi i shqyrtimit analitik tani po zhvillohet me ritme të larta, me përfshirjen aktive të institucioneve shqiptare. Për Shqipërinë kjo do të thotë se ka një mundësi të qartë për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE duke e sjellë Shqipërinë në standardet e BEsë në të gjitha fushat. Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat, nisur nga mbështetja masive të popullit shqiptar për integrimin e vendit të tyre në BE. Në fund të fundit, të gjitha këto reforma të lidhura me BE-në kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së njerëzve në Shqipëri, sepse ndryshimi duhet të ndodhë në Shqipëri, për shqiptarët.

Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BEja synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke trajtuar çështjet e pazgjidhura, në mënyrë që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane, të krijojnë mundësi të reja dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre. Së fundmi, ato ranë dakord të mbështesin planin tuaj të propozuar për normalizim, duke nxitur komente se më në fund gota është më shumë se gjysmë plot. Ndërsa thatë se puna diplomatike vazhdon, cilat janë pritshmëritë tuaja realiste për raundin e ardhshëm të bisedimeve dhe sa afër jemi me një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët?

Në fund të muajit të kaluar, Kosova dhe Serbia u angazhuan për Marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ky është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm përpara, pasi teksti tashmë është mbyllur zyrtarisht.

Në të njëjtën kohë, ka ende punë për të bërë për ta finalizuar Marrëveshjen, duke arritur në një kuptim të qartë se si dhe kur do të zbatohen dispozitat e saj. Një marrëveshje pa zbatim nuk ka vlerë të shtuar. Prandaj, palëve iu është paraqitur një Shtojcë e Zbatimit. Kam thirrur një takim të nivelit të lartë në Ohër me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç për ta finalizuar këtë Shtojcë Zbatimi të Marrëveshjes së BE-së në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë ditëve të fundit, Përfaqësuesi im Special, Miroslav Lajèák, udhëtoi në Prishtinë dhe Beograd në emrin tim për të marrë komente nga palët mbi Shtojcën e Zbatimit, para takimit të nivelit të lartë që do të thërras këtë fundjavë.

Pres që të dyja palët të ruajnë një ritëm të mirë që nga takimi i fundit në Bruksel, si dhe të vazhdojnë me qasje konstruktive dhe realiste për t’u siguruar që kjo Marrëveshje të zbatohet. Kjo është ajo që u kërkova të bënin. Por ende pres diskutime të gjata dhe të vështira. Dy ditë pas takimit të Ohrit do të kemi takimin e rregullt mujor të ministrave të jashtëm të BEsë dhe më vonë gjatë javës Këshillin Evropian, ku do të takohen krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së. Ka pritshmëri të qarta nga ana e shteteve anëtare të BE-së për të parë rezultate nga ky dialog dhe angazhim nga të dyja palët. BE-ja po vëzhgon me shumë vëmendje.

Ku e shihni BE-në pas disa vitesh? Ka një skepticizëm në rritje mes shqiptarëve – pavarësisht mbështetjes së madhe për BE-në dhe anëtarësimin e Shqipërisë – se vendi po përparon mjaft ngadalë në rrugën e tij drejt BE-së. Ky progres shumë shpesh duket se ndikohet nga zhvillimet brenda vetë bllokut. Si e shihni BE-në në të ardhmen, për sa i përket kapacitetit të saj për të thithur anëtarë të rinj, fuqisë së saj ekonomike si dhe sigurisë së saj?

Zgjerimi i BE-së ka sjellë historikisht përfitime për popujt e shteteve të reja anëtare dhe BE-në. Por anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita. Shpejtësia e negociatave të anëtarësimit varet nga shpejtësia e reformave dhe përmbushja e angazhimeve nga vendet kandidate, duke nisur nga fushat themelore si demokracia, shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave themelore. Kërkesat janë të qarta dhe u takon kandidatëve t’i përmbushin ato.

Ndonëse vonesat dhe padurimi që lidhet me to janë të kuptueshme, viti 2022 ishte një vit shumë pozitiv për Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Ai u shënjua nga fillimi zyrtar i negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – Konferencat e para Ndërqeveritare me këto vende janë një përparim i madh me rëndësi kyçe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për gjithë rajonin dhe më gjerë. Më 6 dhjetor, Tirana priti Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e BE-së riafirmuan mbështetjen e qartë të BE-së për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reforma të besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz, si dhe parimin e meritave të veta. Dhe sot jam në Tiranë për Këshillin e parë të Stabilizim-Asociimit që po zhvillohet këtu, në Shqipëri. Këto janë shenja konkrete se BE-ja po afrohet.

Natyrisht, për palën e BEsë, kapaciteti për të thithur anëtarë të rinj, duke ruajtur vrullin e integrimit evropian, është gjithashtu një konsideratë e rëndësishme. Përvoja e kaluar tregon se zgjerimi dhe reformat e brendshme janë arritur gjithmonë paralelisht. Dhe sado që ne këmbëngulim për reforma në vendet kandidate, duhet të bëjmë një përpjekje të ngjashme për ta reformuar BE-në dhe vendimmarrjen tonë.

Kjo është një çështje praktike, si të funksionojmë me efikasitet kur jemi 30 apo më shumë, por është edhe një imperativ gjeopolitik. Sepse një BE e zgjeruar duhet të jetë gjithashtu në gjendje të veprojë shpejt dhe në unitet. Kjo nënkupton gjithashtu reduktimin e shtrirjes së rregullit të unanimitetit në politikën e jashtme dhe në fusha të tjera, për të marrë më shumë vendime me shumicë të cilësuar votash. Kjo është një nga reformat, që më duket si më e rëndësishmja për ta përshtatur politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së me sfidat e botës së sotme.


Shtuar 15.03.2023 17:33