“Bomba bërthamore një mundësi..”, pezullohet ministri izraelit që kërcënoi Gazan

Ministri izraelit Amichai Eliyahu ka deklaruar së fundmi se vendi i tij mund të nisë një sulm bërthamor në Gaza.

Qëndrimi i tij shkaktoi zemërim në të gjithë qeverinë izraelite, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që e pezulloi Eliyahun për një kohë të pacaktuar.

Në një intervistë të dielën i pyetur nëse Izraeli mund të hedhë një bombë atomike në enklavën palestineze, ministri, i cili është anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, u përgjigj se “kjo është një mundësi”.

Eliyahu foli gjithashtu kundër ndihmës së banorëve të enklavës, e cila ka qenë nën rrethimin izraelit për disa javë tani, duke argumentuar se “ne nuk do t’i dorëzonim ndihmat humanitare nazistëve” dhe se “nuk ka gjë të tillë si civilë të papërfshirë në Gaza.”

Menjëherë pas komenteve të diskutueshme, Netanyahu njoftoi se ministri ishte pezulluar nga të gjitha mbledhjet e qeverisë.

Duke shkruar në X , zyra e tij e citoi atë të thoshte se “deklaratat e Eliyahut nuk bazohen në realitet” dhe se Izraeli “po vepron në përputhje me standardet më të larta të ligjit ndërkombëtar për të shmangur dëmtimin e të pafajshmëve”.


Shtuar 5.11.2023 16:35