Përktheu: AlbEu.com
Kur Joe Biden foli për “Armageddon” në fillim të këtij muaji, shumë menduan se presidenti e mbivlerësoi rrezikun e luftës bërthamore me Rusinë. Megjithatë, frika për përshkallëzimin e një luftë bërthamore është rritur në Uashington.
Shkaku më i fundit është akuza e Rusisë se Ukraina po planifikon të përdorë një “bombë të pistë” – një pajisje konvencionale që përhap pluhur radioaktiv, duke fajësuar Rusinë.
Amerika, Britania dhe Franca e kanë hedhur poshtë pretendimin si të rreme.
Çështja është e turbullt; dhe kur bëhet fjalë për armët bërthamore, mjegulla e luftës është akoma edhe më shqetësuese.
Duke shtuar edhe faktin, që Rusia dhe NATO janë të dyja duke kryer stërvitje bërthamore. Më 26 tetor Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, monitoroi fillimin e stërvitjes Grom, ose “Thunder”, i cili simuloi “një sulm masiv bërthamor në përgjigje të një sulmi bërthamor armik” në tokë, det dhe ajër.
Rusia njoftoi për stërvitjet në kuadër të një traktati të ri të kontrollit të armëve. Amerika nga ana tjetër tha se nuk ka parë asnjë shenjë që Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore së shpejti.
Por deklaratat publike të zyrtarëve lënë të nënkuptohet se ka arsye për tu shqetësuar, jo vetëm sepse forcat ruse janë ende në Ukrainë. Gjatë ditëve të fundit, Biden, si dhe zyrtarët e tij të lartë të sigurisë dhe ushtarakë, kanë kaluar orë të tëra duke diskutuar rreth të ashtuquajtura “bomba të pista”.
Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, thirri homologët e tij amerikanë, britanikë, francezë dhe turq më 23 tetor.
Shefi i shtabit ushtarak rus, Valery Gerasimov, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtues të lartë të Perëndimit, të cilët gjithashtu kanë folur me komandantët ukrainas dhe me njëri-tjetrin.
Intensiteti i përpjekjeve të Rusisë është i pazakontë dhe mund të jetë më shumë se propagandë.
Zyrtarët perëndimorë kanë disa hipoteza.
Njëra është se vetë Rusia po planifikon të shpërthejë një “bombë të pistë” si një incident “me flamur të rremë” për të justifikuar përdorimin e armëve bërthamore, tani ose në të ardhmen. (Biden ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të ishte një “gabim tepër serioz”).
Mundësi të tjera janë që Rusia “po luan lojëra psikologjike”, po përpiqet të tërheqë vëmendjen e Perëndimit për diplomacinë, ose është thjesht paranojake për qëllimet e Ukrainës.
Çuditërisht, disa në Uashington madje kanë spekuluar se Rusia mund të ketë marrë informacione të vërteta se dikush në Ukrainë po planifikon të përdorë një bombë të pistë.
Fakti që kjo hipotezë është mirëpritur sugjeron një mosbesim ndaj veprimeve të Ukrainës. Vrasja e Daria Dugina në gusht, nga një bombë në makinë ka ngritur dyshimet se Ukraina në fakt nuk po i tregon Perëndimit gjithçka që po bën.
Gjithashtu, Amerika mendon se mbajtja e kanaleve të hapura të komunikimit me Kremlinin është e rëndësishme në menaxhimin e rreziqeve të një luftë bërthamore dhe Ukraina nuk ka për çfarë të flasë.
Për të ndihmuar Ukrainën në luftën me Rusinë, Perëndimi është përpjekur të shmangë fitoren ruse dhe përshkallëzimin e një lufte bërthamore. Për shembull, ajo nuk ka dërguar raketa me një rreze veprimi prej 190 miljesh (300 km).
Në vend që të kërkojë një fitore të shpejtë, administrata Biden duket se po mbështet zgjatjen e luftës. Kjo rrit rrezikun që mbështetja për Ukrainën të dobësohet, jo vetëm mes aleatëve europianë të cilët po përballen me krizën energjetike me afrimin e dimrit por edhe në Amerikë.
Republikanët mund të fitojnë kontrollin e njërës ose të dy dhomave të Kongresit në zgjedhjet afatmesme muajin e ardhshëm. Kevin McCarthy, udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, deklaroi se Kongresi nuk do t’i jepte një “çek të bardhë” Ukrainës.
Ndërkohë, një grup prej 30 përfaqësuesish nënshkruan një letër duke i kërkuar Biden të ndiqte një diplomaci më intensive për të arritur armëpushimin midis dy vendeve.
Këto shenja të shqetësimit në rritje për koston dhe rreziqet e luftës kanë nxjerrë në pah reagimin e atyre që do të ishin të gatshëm të braktisinin Ukrainën. Mitch McConnell, udhëheqësi republikan në Senat, bëri thirrje për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë dhe sa më shpejt.
Progresistët hoqën menjëherë dorë nga letra e tyre, për shkak të frikës së përplasjes me republikanët në Amerikë. Ekzistojnë gjasat që Biden të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë edhe gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse Ukraina vazhdon të shënojë përparime në fushën e betejës.
Por kërcënimi për përdorimin e armëve bërthamore do të vazhdojë për sa kohë që të vazhdojë lufta, madje mund të përkeqësohen edhe më shumë./albeu.com