Bllokimi i aksit Librazhd-Prrenjas/ Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile: Jemi në gatishmëri të plotë për çdo situatë

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka deklaruar se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate që mund të krijohet pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas.

Gjatë një konference për mbarëvajtjen e akseve rrugore dhe hekurudhave, Çako u shpreh se një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Ai theksoi se aksi është në rastin e një emergjeve të rrëshqitjes së masiveve, e cila do të dojë koordinimin e të gjitha institucioneve.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është vënë në dijeni për problematikën e krijuar për bllokimin e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Jemi angazhuar dhe jemi në gatishmëri të plotë për të gjitha nevojat që do të ketë ky komunitet rreth këtij segmenti.

Dua të theksoj se në dokumentin e vlerësimit të rriskut të përcaktuar me akt normativ, një nga fenomenet natyrore është edhe rrëshqitja, bllokimi i rrugëve apo rënia e orteqeve dhe në këtë rast jemi në rastin e një emergjeve të rrëshqitjes së masiveve, e cila do të dojë koordinimin e të gjitha institucioneve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri të plotë për të mbështetur Autoritetin Rrugor dhe të gjitha institucionet e tjera deri në hapjen e plotë të këtij segmenti”, tha mes të tjerash Çako.