Bllokimi i aksit juglindor/ Berisha: Rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas bllokimit të segmentit rrugor Librazhd-Prrenjas, që ka paralizuar mijëra njerëz dhe gjithë zonën e juglindjes. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Berisha ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe paligjshmëri.

Sipas Berishës, situata ka lënë të bllokuar për orë të tëra qindra qytetarë në juglindje të vendit. Ai hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga kushtet atmosferike, duke e lidhur situatën me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e lumit.

Lideri demokrat tha se rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni. Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për papërgjegjshmëri dhe lejim të ndërhyrjeve të paligjshme.

Reagimi i kreut të PD, Sali Berisha:

Sot tërë ditën i gjithë juglindja e vendit, e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar.
Qindra e qindra pasagjerë kanë kaluar këtë ditë në makinat e tyre të bllokuara në segmentin e rrugës Dragostunjë-Prrenjas.

Ky bllokim është vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit, papërgjegjshmërisë së dy ministrave të Belinda Ballukut dhe Mirela Kumbaros, të cilat kanë lejuar të ndërhyhet në lum pa modelin e studiuar të domosdoshëm dhe ndërhyrja në lum jo vetëm që ka shkatërruar shtratin e lumit, por ka shkatërruar dhe mbështetjen për rrugën ekzistuese dhe shembjen e saj sot.

Dënoj këtë akt si një akt shumë të rëndë kriminal, për të cilin përgjegjësia absolute kryesore ka Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro, natyrisht dhe kompania e cila ka kryer një akt kriminal pa leje, ka ndërhyrë në shtratin e lumit pa asnjë model dhe asnjë leje.
Dënoj me forcë këtë veprim dhe heshtjen kriminale.


Shtuar 21.02.2026 23:36