Skandali i trafikimit të mbetjeve të rrezikshme ka çuar për masë arresti 33 persona, mes tyre biznesmenë, sipërmarrës dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore.
Në dosjen e siguruar nga Panorama Online, sqarohet se kompania “Kurum”, ka lidhur kontratë për shitjen e mbetjeve të rrezikshme me tre subjekte kontraktuese, konkretisht “Sokolaj sh.p.k, Alliance Resource sh.pk. dhe Bajrami N sh.p.k.
Sipas dosjes hetimore, Shoqëria Sokolaj, nuk rezulton të ketë Autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme dhe as nuk i është aprovuar një kërkesë e tillë për periudhën 2022-2024.
E pyetur nga policia gjyqësore, Gjovana Sokolaj, ka deklaruar se, është e vetëpunësuar në biznesin e saj tek subjekti Sokolaj sh.p.k., me NIPT 1643124031.
“Me datë 04.07.2024, ky subjekt ka nisur rreth 102 kontenierë të ngarkuar me Oksid Hekuri, me destinacion Tailandën. Produktin e ka blerë nga shoqëria Kurum International sh.a. (në vijim Kurum), më datë 03.10.2023, ka blerë 2000 ton kundrejt pagesës prej 34.000 USD dhe më datë 16.11.2023, ka blerë rreth 800 ton kundrejt pagesës prej rreth 7.000 USD, Për secilën pagesë është pajusur me faturat përkatëse”, thuhet ne dosje.
Sipas dosjes hetimore, interes për blerjen e Oksidit të Hekurit ka shfaqur subjekti GS Minerals d.o.o., me seli në Kroaci dhe për këtë arsye sasinë prej 2.800 ton Oksid Hekuri ia ka shitur këtij subjekti me çmimin prej rreth 141.000 USD. Pas ngarkimit të 102 konternierëve në anijen tregtare, është bërë nisja nga Porti i Durrësit më datë 04.07.2024.

Gjovana Sokolaj
“Më pas, në datë 09.08.2024, i është dërguar një email nga MSC (Kompani Kontenierësh dhe Transporti Detar Ndërkombëtare), e cila e ka informuar se 102 konternierët do ktheheshin në Portin e Durrësit (origjinë), sepse Porti i Singaporit nuk pranonte të bënte shkarkimin, për shkak të dyshimit se kontenierët ishin të mbushur me lëndë toksike. Gjovana ka deklaruar se, i ka kthyer përgjigje nëpërmjet e-mailit MSC-së duke i thënë se për mallin e ngarkuar në konternierët që është Oksid Hekuri, janë bërë analizat nga ana Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum, dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike. Gjithashtu, u ka propozuar që mund të bëjnë mostrimin e produktit në Portin e Singaporit, por ata i kanë thënë që duhet të kryente pagesën për kryerjen e analizave”.

Gjovana Sokolaj, ka deklaruar gjithashtu se, gjatë vitit 2024 ka kryer 2 ose 3 eksporte me destinacion Tailandën me Oksid Hekuri dhe nuk ka pasur asnjë lloį problematike.
“Shoqëria Sokolaj ka blerë nga Kurum artikullin Oksid Zinku, pa pasur leje të veçantë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërkohë që për transportimin e këtyre mbetjeve të cilat klasifikohen me kodin 10 07 02* kërkohet autorizim i posaçëm për eksportin e mbetjeve. Sipas Ligjit nr.10463 datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” nenit 51 të këtij ligji si dhe VKM-së Nr.641 datë 01.10.2014 “Për miratimin e rregullave per eksportin e mbetjeve dhe kalimin transit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe të inerteve”, përveç lejes mjedisore të tipit B si dhe lejes mjedisore të tipit 1112B, për transportin e tyre duhet dhe leje e veçantë të cilën nuk e ka pasur“, thuhet në dosje.
Por e pyetur në lidhje me subjektin GS Minerals d.o.0., me NIPT HE61130788157, me adresë, Kroaci, shtetasja Gjovana Sokolaj, ka deklaruar se është administratore e këtij subjekti, të cilin e ka hapur prej reth 3 vitesh. Ky është subjekt “brooker” pasi bëjnë lidhjen e marrëveshjeve, kontratave me subjekte ndërkombëtare”.

Nga aktet e administruara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, rezulton se subjekti Sokolaj sh.p.k. ka aplikuar për një leje, por nuk ka plotësor dokumentacionin, por pavarësisht kësaj kompania ka vijuar me kryerjen e veprimtarisë së paligjshme.
Rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj, në agjencinë doganore ka deklaruar produktin si “oksid hekuri”ashtu si edhe është përcaktuar në kontratën me shoqërinë Kurum, ndërkohë që fatura e deklaruar në tatime është oksid zinku dhe në faturën e shitjes bërë shoqërisë GS Minerals d.o.0 me seli në Kroaci, i ka shtuar si element në kllapa kodin ZN pra “Okside hekuri (ZN).
“Në kërkesën e datës 19.08.2022, Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a. angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan. Me mjetin e pajisur me ADR i marrë me qera nga Sokolaj do të transportojë këto mbetje në portin e Durrësit dhe me anije kontenieresh me destinacion tranziti Turqi dhe me destinacion Tajlandën. Nuk rezulton të jetë lëshuar autorizim këtë kërkesë nga Ministria e Mjedisit”.

