Blerjet e fundvitit, a e frenoi inflacioni konsumin?

Sezoni i festave është një kohë kur shumica e njerëzve presin që do të mburren pak. Në fund të fundit, ju dëshironi të merrni të gjitha dhuratat e përsosura që do t’u tregoni të dashurve tuaj se sa shumë kujdeseni për ta.

Për më tepër, me praninë gjithnjë e në rritje të rrjeteve sociale në jetët tona. Megjithatë, këtë vit mund të jetë pak më e ndërlikuar se në të kaluarën për shkak të rritjes së çmimeve. Sepse, në fund të fundit, ‘dhurata’ që të gjithë po marrim, pa e kërkuar, është inflacioni…

Situata ekonomike ka bërë që shumë njerëz të rishikojnë listat e blerjeve dhe të përdorin disa taktika buxhetore. Në krye të listës, janë produktet bazë si ushqimet, ka disa vende bosh, pastaj janë dhuratat!

Në një vëzhgim të “Monitor”, përafërsisht gjysma e blerësve kanë pohuar se do të blejnë më pak gjëra këtë vit, shitësit me pakicë janë të shqetësuar se kjo do të ndikojë negativisht në financat e tyre dhe do t’i lërë më shumë stok.

Sipas tyre, vitin e kaluar, konsumatorët bënë blerje herët dhe ishin të gatshëm të shpenzonin më shumë për dhurata.

Sipas vëzhgimit të realizuar në rrugët tregtare Rruga e Kavajës, “Myslym Shyri”, Tregu Çam, “21 Dhjetori”, blerjet ishin sporadike, të fokusuara kryesisht te fëmijët, shumë pak kanë preferuar të bëjnë dhurata për veten dhe shumica e blerjeve ishin të përqendruara dy javët e fundit të dhjetorit.

Ndikimi i inflacionit në blerjet e fundvitit?

Ndërsa kostot e gazit dhe energjisë elektrike janë rritur globalisht, po ashtu prodhimi dhe transporti më i shtrenjtë ka sjellë çmime më të larta në të gjithë sektorët dhe slita e Babagjyshit këtë vit ka qenë dukshëm më e lehtë…

Jo të gjitha kategoritë, megjithatë, kanë parë të njëjtën rritje të çmimit. Ndërsa pajisjet elektroshtëpiake dhe mobiliet kanë regjistruar rritje 10 deri në 15%, çmimet e veshjeve janë vetëm rreth 5% më të larta, sipas raportimeve në treg.

Rikujtojmë që çmime të larta janë reflektuar prej disa muajsh tashmë në artikujt ushqimorë.

“Konsumatorët ka të ngjarë të zëvendësojnë artikujt më të shtrenjtë me opsione më të lira” – thotë për “Monitor”, Jonila, drejtuesja e dyqanit “Aldo Boutique” në rrugën “Myslym Shyri”.

Dorela Sala, drejtuese e “BeeKids”, në Toptani Center, thotë se kërkesat për artikuj për fëmijë kanë qenë të qëndrueshme, për shkak edhe të markave të dyqanit, por këtë fundvit, blerjet nuk kanë qenë në sasinë e viteve të mëparshme.

Përfaqësues të linjës së dyqaneve “Shtëpia e Lodrave” raportuan këtë fundvit si vitin me blerje më të pakta se vitet e tjera, të marra në total të numrit të dyqaneve që zotërojnë në Tiranë dhe Durrës.

Rudina Caka, estetiste në “Pretty Woman” pohon për “Monitor” se kërkesat për trajtime estetike, kujdes personal, si dhe rigjenerim të look-ut nga femrat ka qenë e lartë këtë fundvit, duke pasur edhe të vështirë menaxhimin. Sipas saj, fundviti apo periudha para verës janë historikisht momente kulmore për kërkesat estetike.

Dr. Denisa Kaçiu nga “Nissa Medical Center” thotë se kujdesi estetiko-mjekësor ka qenë ndër trajtimet më të kërkuara këtë fundvit, edhe nëpërmjet dhurimit të “gift card” mes mikeshave.

Përfaqësues të supermarketit “Eco Market” pohojnë se shportat me dhurata kanë qenë të preferuara edhe këtë vit, të cilat përgatiten me produkte të çmimeve të ndryshme, duke synuar kështu konsumatorë të buxheteve të ndryshme.

Supermarketet e lagjeve në kryeqytet raportojnë rënie të sasisë së blerjeve prej muajsh tashmë, me disa lëvizje më shumë tani në fundvit, por që kryesisht të fokusuar te produktet bazë për jetën e përditshme.

Paradoksi i jetës së kryeqytetit shqiptar është raportimi i rënies së fuqisë blerëse përballë faktit që hotelet në vende si Korça kanë qenë tërësisht të rezervuara për Krishtlindje.
Lokalet kryesore në kryeqytet thonë se për natën e ndërrimit të viteve është prenotuar masivisht.

Burime pranë restorant “Te Stela” thonë se rezervimet janë mbyllur që herët dhe kostoja vetëm për darkë (pa fjetje) është 60 euro për person.

Përfaqësues të agjencisë turistike “Kalemi Travel”, shprehen se sa u përket kërkesave për udhëtim jashtë, kanë qenë të përqendruara kryesisht në rajon: Podgoricë, Budva, Selanik, Sofje apo Stamboll. Paketat variojnë nga 100-250 euro për person.

Ushqimet kryesojnë listën

Tryeza e fundvitit nuk imagjinohet pa ushqimet tradicionale si gjeli i detit, produkte të tjera mishi, sallata, pije etj.

Të gjitha këto, janë dukshëm më të shtrenjtë këtë vit. Rikujtojmë që në muajin nëntor, inflacioni përllogaritej 7,9%, ku ndikimin kryesor vijon ta ketë shtrenjtimi i ushqimeve.

Ndonëse tashmë të gjithë blerjet janë kryer dhe jemi vetëm pak orë përpara trokitjes së gotave këtë ditë të fundit të 2022, por nga një vëzhgim në treg çmimet e produkteve janë si më poshtë:

-Gjeli i detit, peshë e gjallë është shitur në tregje 1,200-1500 lekë për kilogram, nga 800 – 1000 lekë dhjetorin e kaluar. Kësaj kostoje i shtojmë edhe pagesën për persona që realizojnë therjen e pastrimin e shpendëve në qytete. Ndërsa pulat apo gjelat të tregtuar në supermarkete janë 20% më lirë.

-Në tregun e produkteve të tryezës mishi dhe nënproduktet e qumështit kanë rritje me gati 30% në krahasim me vitin e kaluar. Çmimi i produkteve si mishi i të imëtave është gati dyfishuar gjatë dy viteve të fundit, duke arritur në nivelin e 1600 apo 1700 lekë për kg.

– Çmimi i vajit të lulediellit është rritur nga viti i shkuar, gjithashtu erëzat, gjalpi, qepa.

– Ëmbëlsirat dhe panetonet në supermarkete kanë çmim 10% më të shtrenjtë se vitin e shkuar

– Bakllavaja, e preferuar për shqiptarët në fundvit, ka një shtrenjtim 5-10% më të shtrenjtë, për shkak të rritjes së çmimit të miellit, gjalpit, arrave.

 

Të dukemi!

Festat stimulojnë ekonominë nga të gjitha aspektet, duke nxitur frymën konsumatore. Oferta dhe kërkesa si për mallra ashtu edhe për shërbime rriten rreth fundit të vitit, kjo sepse njerëzit duan të festojnë dhe nuk ka festa pa blerje.

Marsi Simo, sociologe, shpjegon për “Monitor” se ndikimi i komercializimit ka arritur edhe në vendin tonë.

“Pesë vite më parë, nuk imagjinoheshin setet fotografike me pizhame njësoj për të gjithë familjen, fotot e videot masive me panetone apo të udhëtoje në qytete europiane. Kjo tendencë ka ardhur nga komercializimi i periudhës së fundvitit.

Shitja me pakicë ka shfrytëzuar Krishtlindjet dhe Ndërrimin e Viteve për të sjellë shitje shtesë. Nga ana tjetër, njerëzit kanë një tendencë të mburren gjatë festave, sidomos me ndikimin e gjerë të përdorimit të platformave sociale si Instagram e Tiktok.

Kjo nxit shpesh blerjet impulsive, të pamenduara, pa logjikë, shpesh me karta krediti e me pasoja me të cilat do të përballen muajt e ardhshëm” – shpjegon znj. Simo./Monitor


Shtuar 31.12.2022 07:47