Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultateve, Blerina Gjylameti ka ngritur akuza të forta për manipulim të votave brenda Partisë Socialiste.
Ajo humbi mandatin për deputete në qarkun e Tiranës pas numërimit të votave të diasporës, të cilat i dhanë një avantazh prej 140 votash Olta Xhaçkës, duke e nxjerrë atë fituese të mandatit.
Gjylameti ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit, duke pretenduar se i janë vjedhur votat brenda partisë dhe ia ka arritur t’i marrë ato.
Këtë e ka bërë me dije gazetari Ervin Koçi, i cili u shpreh për Euronews se edhe pse i ka marrë këto pamje ajo nuk ka bërë një ankim.
“Marrja e pamjeve nuk do të thotë që do të bësh ankim, mund t’i shohësh dhe t’i ruash. Qefalia është tërhequr, Gjonaj është tërhequr, edhe Frrok Gjini është tërhequr sot pasdite. Marrja e pamjes nuk përbën ankim. Mundësua që të jetë bërë ndonjë manovrim kaq i madh te grupet e numërimit më duket shumë larg”, tha ai.
Kujtojmë se Edi Rama kërkoi nga kandidatët të tërhiqeshin nga vendimi për të marrë pamjet filmike nga KQZ, ndërsa 3 socialistët e tjerë Etilda Gjonaj, Xhemal Qefalia dhe Frrok Gjini kanë hequr dorë.