Blerina Gjylameti merr zyrtarisht detyrën në krye të AKU: Siguria ushqimore është e tashmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti është emëruar këtë të mërkurë në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërsa sot, ajo është prezantuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, duke marrë zyrtarisht detyrën.

Emërimi vjen pak kohë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku nuk arriti të sigurojë një mandat dhe Blerina Gjylameti zëvendëson në këtë post Manush Kullollin, i cili e mbante detyrën prej marsit të vitit të kaluar.

Politikania e lartë socialiste falenderon kryeministrin Edi Rama për besimin dhe tregon se është menduar gjatë për të marrë drejtimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, detyrë të cilën e quan barrë të vështirë.

“U mendova gjatë përpara se ta pranoja këtë barrë. U mendova për shkak të peshës së saj institucionale, për shkak të vështirësive reale të sektorit, për shkak të interesave të shumta që preken dhe për shkak të pritshmërive të larta që ka shoqëria. Por për më shumë arsye të tjera e pranova këtë detyrë”, shkruan ajo.

Blerina Gjylameti thekson se do të ndryshojë totalisht qasjen ndaj bizneseve, sepse ky sektor që është përgjegjësi e AKU-së, është buka e përditshme e mijëra familjeve që prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë ushqim.

“E pranova sepse besoj se ka ardhur momenti që ky sektor të ndryshojë rrënjësisht. E pranova sepse nuk ka më kohë për hezitim. Dhe e pranova me bindjen se kjo detyrë nis nga sot. Duhet ta themi hapur dhe me ndershmëri institucionale:tolerancat dhe koha që kemi dhënë deri tani nuk kanë mjaftuar.

Kemi pritur që secili aktor të përmirësohet gradualisht. Por sot është e qartë se ky model nuk na çon aty ku duhet të jemi. Siguria ushqimore është, pa dyshim, sektori më i vështirë për t’u formalizuar dhe standardizuar”, thotë ajo.

Politikania e majtë shkruan se pavarësisht se në këtë sektor përplasen interesi ekonomik, mbijetesa e përditshme, tradita, informaliteti dhe tregu i lirë, mbi të gjitha, siguria ushqimore është shëndeti i qytetarëve, është e tashmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë, dhe është besimi i një shoqërie të tërë tek shteti.

“Dhe përballë kësaj përgjegjësie, nuk kemi më të drejtë të negociojmë me thelbin. Dua ta them qartë: do të ketë hapësirë të pakufizuar për bashkëpunim, dialog, mbështetje teknike dhe orientim. Por nuk do të ketë asnjë tolerancë për kompromis përtej objektivave”, përmbyll ajo.


Shtuar 22.01.2026 19:48