Këtë të enjte, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, në aktivitetin “Shqipëria turistike 2030”, shprehet se, “Shqipëria është një ballkon i hapur mbi Mesdhe, një copëz toke e bekuar që bota po e zbulon me kureshtje, me entuziazëm dhe me dashuri”.
Ministri renditi avantazhet dhe sfidat që paraqet vendi ynë, si një muze i hapur nën qiell, ku çdo gur flet dhe çdo rrugë është një kapitull trashëgimie.
“Sfida jonë është që këto pasuri dhe vlera të lidhen në një rrjet të madh rrëfimesh dhe eksperiencash, ku vizitori nuk vjen thjesht për të parë, por për të jetuar historinë tonë”, tha Gonxhe, sipas të cilit kalatë, muzetë dhe parqet arkeologjike, deri në gusht të këtij viti, u vizituan nga mbi 1 milion turistë, ose 58% më shumë sesa viti 2023.
Për rrjedhojë, edhe të ardhurat janë rritur me 84%, krahasuar me dy vjet më parë.
Vetëm në dy vitet e fundit është shënuar një rritje historike në ndërhyrjet për rijetësime e shpëtime, krahasuar me vitin 2023: 309% më shumë projekte restaurimi e konservimi dhe 363% më shumë investime direkte në monumentet dhe objekte të pasurisë kulturore.
Për Shqipërinë 2030, është parashikuar një program i gjerë investimesh në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare, për ta kthyer vendin në një qendër të kulturës evropiane.
“Do të rilindin, do të ngrihen nga e para, do të transformohen apo do të hapin dyert: Teatri Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Arteve të Bukura, Biblioteka Kombëtare e zgjeruar dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, ndërsa do të ngrihen muze të rinj si Muzeu Hebraik, Muzeu “Besa”, Muzeu i Filmit dhe Muzeu i Arbëreshëve, së bashku me rrjetin e muzeve arkeologjikë, etnografikë dhe kinoteatrove në qytetet kryesore të Shqipërisë”, u shpreh kreu i MEKI-t.
Gjithashtu, ministri theksoi ngritjen e qendrave të reja të vizitorëve në Butrint, Apoloni dhe Bylis si dhe rijetësimin e 100 kullave historike në 14 bashki.
Më tej, ai tha se gjatë këtij viti do të themelohet Fondacionin Publik “CulturAlb”, i cili synon fuqizimin e prodhuesve tradicionalë dhe ekonomisë kreative vendore.
Ministri nuk la pa përmendur edhe pasurimin e kalendarit kulturor. Sivjet parashikohen 3500 aktivitete, 52% më shumë se një vit më parë, me 600 mijë vizitorë e spektatorë të pritshëm.
Gonxhe tha se gjatë vitit 2025 u shpallën 275 projekte fituese, ku më shumë se gjysma përfaqësohen nga të rinj që shprehin krijimtarinë e tyre për herë të parë.