Blendi Fevziu: Jam si Pikaso! Pse i takova Berishën, Bashën e Kim

Drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu ka qenë një ditë më parë në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

Ai ka dhënë një intervistë para studentëve të UET, ku ka treguar detaje për jetën dhe punën e tij.

Mes të tjerave ai është shprehur se ka drejtuar media që në një moshë fare të re, si dhe ka ndërhyrë në konfliktin Basha-Berisha-Kim për ta shuar atë.

Intervista e plotë:

Në vitin 1997, ju hidhni një hap të rëndësishëm duke filluar emisionin “Opinion”, i cili edhe pas kaq vitesh mbetet ndër më të ndjekurit në televizionet shqiptare. Cili është ai zë apo sy konstruktiv, të cilit ia keni besuar kritikën dhe ka ndikuar në ecurinë e emisionit ndër vite, që ka përmirësuar emisionin, por edhe ju si gazetar?

Është çështja e instinktit që njeriu ka brenda vetes. Një artist ka instinktin të krijojë për gjëra që i përshtaten interesit të shoqërisë. Kur Pikaso bëri format e tij të para, u dukën skandaloze për pjesën më të madhe të njerëzve, por ndërkohë menjëherë ngjalli entuziazëm te pjesa më e madhe e rinisë. Njëjtë ndodh edhe sot. Çështja e evoluimit të emisionit është instinkti për të kapur nevojën e shoqërisë dhe për t’ia përshtatur asaj. Nuk je ti që ia propozon shoqërisë.

Ti njeh sinjalet e shoqërisë dhe shkon në të njëjtën linjë me të. Unë kam pranuar kritikat e një numri të madh njerëzish, me të cilët kam punuar. Që prej vitit 2010, kritika kryesore vjen nga shikueshmëria, nga audienca. Ne i lexojmë me shumë kujdes raportet e audiencës dhe çdo 2-3 apo 4 vjet, bëjmë sondazhe të thelluara me kompani të specializuara ndërkombëtare, për të parë pritshmërinë e publikut. Kam përshtypjen se 1 apo 2 televizione e bëjnë këtë, pasi është e kushtueshme. Shpeshherë, zëri i publikut është i pakuptueshëm.

Ti kupton se parimet në të cilat beson, nuk përputhen me atë çka sheh publiku. Gjërat që ty të duken jo shumë të rëndësishme, në publik kanë tjetër lloj shikueshmërie. Kjo të ndihmon që të rrish në trendin e interesit të publikut duke testuar, siç bën çdokush tjetër, qoftë edhe ai që prodhon produkte. Po ashtu, gjithë ditën duhet të jesh në lëvizje, duhet të mendosh se çfarë mund të përmirësosh dhe të çfarë të ndryshosh.

Përveç audiencës, në rrugëtimin e dikujt duhet të ketë një mentor, një udhëheqës, qoftë edhe shpirtëror, që ta drejtojë drejt suksesit. Kush ka qenë mentori juaj?

Nuk kam pasur mentor. Historia ime ka qenë atipike. Një histori që nuk përsëritet më dhe që ndodh në një moment të caktuar. Edhe suksesi i brezit tim nuk është një sukses që ka ardhur nga karriera, nga përpjekja, ka ardhur edhe nga boshllëku. Në vitin 1991, kur fillova të angazhohesha në gazetarinë e madhe, fati e solli që 22 vjeç të shkruaja reportazhin e faqes së parë të gazetës më të shitur në historinë e Shqipërisë, që ishte “Rilindja Demokratike”, e cila shiti 250 mijë kopje brenda dy netësh.

Nuk ishte meritë e imja, por se nuk kishte gazetarë që vinin nga koha e regjimit. Kam qenë kryeredaktor i gazetës më të madhe në vend, në moshën 23-vjeçare dhe e kam nisur emisionin në moshën 27- vjeçare. Në kushte normale këto nuk ndodhin. Sot një 27- vjeçar nuk mund të marrë një emision, siç e mora unë, në të vetmin televizion që kishte Shqipëria dhe në primetime.

Këto vinin nga boshllëku i krijuar. Kush vraponte, mund të shkonte deri atje ku kishte fuqi për të vrapuar. Në atë kohë kishte më shumë organe shtypi sesa kishte gazetarë, kishte mundësi që të ecje. Historitë e njerëzve që sot janë bërë miliarderë, janë të çuditshme. Kanë nisur me detaje fare banale, që në çdo vend të globit, as mund ta mendosh që mund të bësh karrierë. Sot mundësia e karrierës është shumë më e vogël dhe shumë më e vështirë sesa ka qenë në atë kohë. Unë e them shpesh: ne kemi mësuar duke punuar. Sot një i ri që vjen në gazetari, ka disa modele. Ne në atë kohë nuk kishim modele. Unë nuk e dija si bëhej një gazetë kur kam filluar të shkruaj gazetën. Nuk kishim idenë si bëhej televizioni, se nuk kishim parë. Pra, duke ecur, duke mësuar.

Ju jeni favorizuar nga rrethanat, por në gjithë këtë mjedis, nuk ishte dikush që ju ka inspiruar?

Në të njëjtën kohë u gjetën shumë njerëz, disa ecën, disa jo. Fati është starti dhe mundësia që ty të jepet. Nuk të jepet fati të jesh drejtues emisioni në moshën 27-vjeçare, nuk të jepet mundësia të jesh drejtues gazete në moshën 23-vjeçare. Sepse nuk duhet të jesh drejtues gazete në atë moshë. Një nga gjërat që më shqetësonte në atë kohë, ishte se në takimet ndërkombëtare të gazetarisë nuk më merrte asnjeri seriozisht.

Sot më duket normale, sepse isha 23 vjeç, çfarë dija në raport me ata? Pra, përveç fatit në nisje, pjesa tjetër është punë, është përplasje, përpjekje, nuk është asgjë që nuk është e mbrujtur përmes një pune. Unë e them gjithmonë, talenti është dytësor në raport me punën.

Nëse harmonizohen të dyja, do të ishte më mirë. Në parim, primare është puna. Shumë persona nuk e përballojnë dot jetën e një gazetari, pasi e fillon afër drekës dhe e mbaron në mesnatë. Unë kam telefonata krejt normale, mes orës 12 dhe 2 të natës. Çdo njeriu mund t’i duket anormale, por për mua është koha e vetme e mundshme. Gjithashtu, ka njerëz që nuk e ndjekin dot ritmin tonë të punës. Shumë të rinj që vijnë, nuk e përballojnë dot, ashtu sikurse ka që ecin përpara.

Ju drejtoni një prej emisioneve më të ndjekura. Nëpërmjet tij ju mund të influenconi te një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare. Sa e rëndësishme është për ju kjo pjesë?

Pa dyshim, unë kam bindjet e mia, të cilat jo gjithmonë reflektohen në hapësirën e emisionit. Raporti i emisionit nuk ka lidhje me mua. Unë e konsideroj një hapësirë publike, ku përballen ide dhe debate. Ka shumë raste që unë kam një ide, por duke ndjekur një debat në studio, mendoj që ai tjetri ka të drejtë. Askush në gjykimin tim nuk mund të jetë i pagabueshëm dhe askush nuk i di të gjitha gjërat. Sa më shumë njerëz dëgjon, pasuron informacionin, por edhe analizën, me kënde shikimi që nuk të kanë shkuar më parë në mendje. Influenca është një balancë në publik, pra, ti i sheh të dyja anët dhe merr një anë. Problemi më i madh në shoqërinë tonë edhe një nga defektet historike, që duhet të ketë qenë edhe më parë, por që rrjetet sociale e nxjerrin më në pah, është paaftësia e njerëzve për t’i marrë vendimet me qetësi dhe për të dëgjuar mendimin kundër. Çfarë më ndodh mua në emision? 90% e njerëzve nuk më thonë që ky e tha mirë ose keq, por më thonë: “Nuk e duroj dot ta dëgjoj atë”. Pra, ai nuk duron dot të dëgjojë dikë që ka një argument ndryshe nga argumenti që ai ka në kokë. Kjo lloj ngurtësie dhe paaftësie për të argumentuar, është fatale për një shoqëri. Ky është një nga fenomenet që shkatërroi shoqërinë në ‘97, është fenomeni që manipuloi një shoqëri të tërë dhe bëri që të shkojnë të varen e pushkatohen në 1944. Është paaftësia për të reaguar me qetësi dhe paaftësia për të dëgjuar argumentin e tjetrit. Pra, nuk duhet të influencosh në shoqëri, por të japësh dy pamje dhe dy qasje të një fenomeni, në mënyrë që të gjykojnë vetë. Sot luajnë një rol negativ rrjetet sociale. Në mediat tradicionale, gazetarët mundoheshin të kishin të dyja palët. Sot ka media që japin vetëm qëndrimin e vet dhe shumë njerëz besojnë vetëm atë që duan. Një pjesë e publikut ndjek vetëm raportimet e njërës anë, gjë që u reflektua edhe në ngjarjet e Capitol Hill. Gjatë një anketimi që ishte bërë, 60% e të intervistuarve besonin se kishin ardhur për të festuar zgjedhjen e Trump si President.

Pra, është një problem në të gjithë botën, ku po punohet për të gjetur një zgjidhje. Por, Shqipëria e ka më të theksuar këtë gjë, për arsye tradicionale e historike. Në karrierën tuaj, nga viti ‘97 deri tani, kam vënë re një ndryshim. Në fillimet tuaja ju keni qenë më i fokusuar në rolin e gazetarit, ndërsa më vonë keni mbajtur më tepër rolin e moderatorit.

Pse ka ndodhur kjo? Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim. Unë mendoj se vetëm në qëndrime kam një lloj tërheqjeje. Kam qenë më pak aktiv në shkrimin e artikujve të përditshëm, për dy arsye. Së pari, për shkak të relativizimit të shtypit të shkruar dhe së dyti sepse jam fokusuar te librat. Nuk është kollaj të bësh shkrime të përditshme dhe libra, pasi të fundit kërkojnë një periudhë të gjatë përpunimi.

Gazetaria është e përditshme, ndërsa libri duhet t’i rezistojë kohës. Mendoj se ka një lloj relativizimi të fjalës në shoqërinë shqiptare dhe gjithë botën. E shoh, nuk ka debate të thelluara, njerëzit nxiten në reagime të paarsyeshme. Prandaj them që njerëzit duhet të maten, siç thoshte Colin Poëell, “Nervat e darkës lëri për në mëngjes”.

Përveç statusit si gazetar, herë pas here vini edhe si shkrimtar. Ju keni bërë libër për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Hashim Thaçin. A do të bëni një libër për liderët aktualë në Shqipëri?

As njëri dhe as tjetrit nuk i bën dot libra, sepse ka një problem: nuk ka burime arkivore. Për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, çdo gjë është bërë me letra të shkruara. Te Thaçi kishim një fat të madh, pasi ishin arkivat britanike, amerikane dhe serbe, të cilat kishin informacion.

Nëse do të shkruash sot një libër për Edi Ramën apo Sali Berishën, ti nuk ke asnjë letër, nuk gjen asnjë email. Do të gjesh vetëm kujtimet e njerëzve, të cilat nuk janë asnjëherë të besueshme. Unë për interesin tim, që prej vitit 1994, kam filluar të mbledh kujtime të protagonistëve të Dhjetorit 1990. Ka personazhe që i kanë ndryshuar kujtimet 3 deri në 4 herë. Mund të shkruash libër me intervista, që në botë janë shumë të njohur, por jo të shkruash si i tretë.

Në librat tuaj ka pjesë të historisë, gjë që tregon pasionin tuaj në këtë fushë. Libri i radhës do të jetë historik?

Jo, nuk do të jetë historik. Kam 2-3 projekte librash paralel. Kam filluar të shkruaj dy libra. Njëri është me protagonistë të historisë së Shqipërisë, por edhe njerëz të thjeshtë, që unë i kam njohur personalisht. Mendoj se do të jenë 31 personazhe, duke nisur nga Geraldina, Ramiz Alia, por edhe personazhe më pak të njohur, si Antoni Athanas, i cili kishte një restorant në Boston dhe ishte miku i Nolit dhe Konicës.

Libri i dytë është për udhëtimet. Unë kam udhëtuar në 128 vende, duke pasur parasysh se kam lindur në vendin më të izoluar të botës, më të izoluar se Koreja e Veriut sot. Unë shkoj në vende ku një turist i zakonshëm nuk para shkel. Është libër i vështirë, pasi nuk përshkruan itinerarin, por flet për udhëtimin. Unë udhëtoj me local guids, ku njerëz të apasionuar pas një fushe, në ditët e tyre të lira, ofrojnë guidë kundrejt pagesës. Unë marr guidë lokale të fokusuar te historia, që është pasioni im.

Si i lexoni zhvillimet e fundit politike në vend dhe sa i vërtetë është debati Basha- Berisha?

Është shumë i vërtetë, madje është konflikt. Nuk ka nevojë t’i them detajet, por sesi do të mbyllet nuk di ta them. Kam takuar të dyja palët, edhe ambasadoren amerikane. Jam në brendësi të të gjithë procesit.

Kritikuat reagimet emocionale që audienca ka përballë qëndrimeve të caktuara. Ju mbani një qëndrim utilitarist, apo një rol etik dhe dilni mbi “interesat meskine” të klikimeve, duke dhënë një model debati përmes figurës suaj dhe asaj që bëni?

Klikimi s’më ka interesuar kurrë. Audienca më intereson, por jo në aspektin që të bëj çfarë duan ata. Unë sjell njerëz që mbajnë qëndrime të ndryshme, që e ndajnë audiencën. U qëndroj disa parimeve të mia, që janë të pandryshueshme.

Ka parime që njeriu i ndryshon në jetë në bazë të ndryshimeve që pëson shoqëria. Parime të pandryshueshme për mua janë: qëndrimi kundër komunizmit, nuk mendoj se ka nevojë për rishikim dhe këtë qëndrim do ta mbaj gjithë jetën; parimi ndaj emigrantëve, pasi janë pjesë e rinisë sime. Nëse bëj një bilanc të klasës sime gjatë shkollës së mesme dhe të lartë, ne jemi sot në Shqipëri rreth 15% dhe 85% kanë ikur. Sa të kem frymë, do të jem në favor të emigracionit dhe emigrantëve; parimi i shkollimit mbetet i rëndësishëm dhe që mendoj se po të ndërtojmë shkollim të fortë do të eliminohet disi emigracioni.

Shumë gjëra kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Një nga gjërat që ka ndodhur është betonizimi dhe shkatërrimi i qytetit. Ka pasur momente që kemi qenë entuziastë, pasi e kemi parë në aspektin e zhvillimit. Po ashtu, mbaj të pandryshuar qëndrimin për raportin mes grave dhe burrave. Jemi një nga shoqëritë më mizerabël të Europës, ku një burrë ka të drejtë ta vrasë gruan, t’i kërkojë llogari. Historia që burri e konsideron gruan pronë, është kriminale, absurde, primitivizëm i pastër dhe nuk e kuptoj. Është pak ballkanike, pasi e ka Italia e Jugut apo Greqia e Veriut, por nuk e ka Kosova apo Maqedonia e Veriut. Edhe për kuotat e barazisë jam kundër, pasi mendoj se çdo njeri konkurron dhe merr punën.

Për ata që studiojnë gazetari ose janë në fillimet e veta, çfarë do t’i këshillonit?

Mos mendo kurrë se ka vetëm një të vërtetë, pasi nëse e sheh në atë këndvështrim, s’ekziston vetëm e vërteta jote. Mendo që çdo e drejtë ka disa kënde shikimi.

Kjo bëhet edhe me eksperiencën. Së dyti, të ndjekin instinktin. Nëse ai të lë disa herë në baltë, atëherë nuk je për atë punë, ndërro profesion.

Cila mendoni se do të jetë trashëgimia juaj?

Nëse flasim për një lloj legacy, unë të tillë konsideroj librin. Trashëgimia ime është “Tirona e nonës”. Për Enver Hoxhën janë shkruar dhe do të shkruhen shumë libra, po ashtu edhe për Hashim Thaçin. “Tirona e nonës” është një lloj borxhi që unë e kam marrë pa e ditur se e mora. Unë u gjenda në një moment kur 3 plaka ishin në fund të jetës së tyre, kishin grumbulluar eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ato gjetën një njeri që t’i dëgjonte. Prindërit e mi nuk i dëgjonin, se kishin hallet e përditshme dhe unë i regjistrova. Është e vështirë të shkruash një libër për njerëzit e afërt, pasi të duken shumë të mirë. Thonë se një njeri duhet të shkruajë një libër, të mbjellë një pemë, të lërë një fëmijë. Unë i kam plotësuar këto, por se çfarë mbetet për legacy, nuk e di./albeu.com


Shtuar 16.09.2021 14:57