Biznesi perëndimor po e mbështet ende luftën e Rusisë në Ukrainë

Nga Ilan Berman “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Si po ia del Rusia të vazhdojë luftën në Ukrainë? Kur po mbushet gati 1 vit nga fillimi i “operacionit special ushtarak” kundër fqinjit të tij perëndimor, katastrofa ushtarake e presidentit rus Vladimir Putin i ka shkaktuar kosto të mëdha ushtrisë ruse dhe e ka izoluar jo pak Moskën, që tashmë ka më pak partnerë të çmuar ndërkombëtarë të besueshëm.

Vëzhguesit e mprehtë të Rusisë kanë parashikuar se me kalimin e kohës, kjo gjendje do ta varfërojë në mënyrë dramatike shtetin rus. Por për momentin, shumë njerëz janë të habitur nga mënyra sesi Kremlini ka arritur të vazhdojë luftën që ka zgjedhur vetë ta nisë.

Një pjesë e kësaj përgjigjeje ka të bëjë me sektorin energjitik. Sufiçiti i llogarisë korente të vendit arriti një rekord prej 227 miliardë dollarësh vitin e kaluar, me gjithë presionin e madh nga Perëndimi përmes sanksioneve. Kjo ka ndodhur për shkak të eksporteve të vazhdueshme të naftës dhe gazit jashtë vendit si dhe reduktimit të importeve.

Pra thënë thjesht, Moska ka arritur që të qëndrojë në këmbë, të paktën deri më sot, duke ua shitur energjinë e saj konsumatorëve të gatshëm (si Kina), ndërsa ka blerë më pak produkte  nga jashtë. Për pasojë, ajo ka ende para për të “djegur” në makinerinë e saj të luftës.

Por një arsye tjetër e rëndësishme për aftësinë paguese të vazhdueshme, ka të bëjë me lidhjet tregtare të Rusisë me Perëndimin.

Me gjithë sanksionet e gjera ndërkombëtare dhe angazhimet e shumta të përmendura publikisht nga politikanët dhe drejtuesit e korporatave, vetëm një përqindje e vogël e firmave perëndimore kanë pushuar de fakto së bëri biznes në Federatën Ruse.

Një studim i ri i kryer nga studiues të Institutit IMD, një shkollë zvicerane e menaxhimit dhe Universiteti i St.Gallen ka zbuluar se pavarësisht nga narrativa mbizotëruese se Perëndimi po tërhiqet nga tregtia me Rusinë, në fakt ka pasur vetëm “një tërheqje shumë të kufizuar të kompanive nga vendet e BE-së dhe G7-ës” që nga fillimi i luftës në fundin e shkurtit të vitit të kaluar.

“Në fakt, shumë kompani që kanë selitë e tyre në këto vende i kanë rezistuar presioneve nga qeveritë, mediat dhe OJQ-të për t’u larguar nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës”- thekson në fund studimi në fjalë, i autorizuar nga studiuesit Simon Evenett dhe Niccolo Pisani.

Detajet tregojnë një realitet të hidhur. Sipas raportit, në kohën e vendimit të Putin për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, në Rusi ishin aktive 1.404 kompani të vendeve të BE-së dhe G7-ës, me 2.405 degë në total.

Deri në fund të nëntorit 2022, kur u krye studimi, vetëm 120 prej këtyre kompanive kishin larguar të paktën një nga filialet e tyre nga Rusia.

Studiuesit theksojnë se kjo është e barabartë me “më pak se 9 për qind” të të gjitha kompanive perëndimore. Biznesi amerikan ka qenë paksa më i përgjegjshëm, dhe kompanitë amerikane janë tërhequr nga tregtia me Kremlinin në një shkallë më të madhe se sa homologët e tyre evropianë.

Megjithatë, diferenca është modeste. Sepse në total më pak se 18 për qind e degëve të kompanive amerikane në Rusi i kanë shitur asetet e tyre dhe i kanë ndërprerë aktivitetet që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Pra ndërsa kompanitë amerikane kanë hequr dorë më shpesh sesa homologët e tyre në BE dhe G7, deri më sot më pak se 1 në 5 prej tyre kanë ndërprerë plotësisht aktivitetin në federatën ruse”- nënvizohet në studim.

Për këtë arsye panorama është e zymtë. “Në parim”- theksojnë Evenett dhe Pisani, numri i vogël i kompanive perëndimore që janë larguar nga Rusia “mund të përbëjë pjesën e luanit të investimeve perëndimore në Rusi”. Por ky nuk është rasti.

Përkundrazi, ato përbëjnë vetëm 6.5 për qind “të fitimit total para tatimit të të gjitha kompanive të vendeve të BE-së dhe G7-ës që kanë operacione aktive tregtare në Rusi”.

Pra është fakt që lidhjet tregtare perëndimore me Rusinë mbeten në përgjithësi të pandryshuara.

Këto gjetje bien ndesh me narrativën dominuese në media sipas së cilës ka ndodhur një eksod i vërtetë i kompanive dhe instituteve financiare, në kundërpërgjigje të ofensivës së Rusisë kundër Ukrainës. Përkundrazi, siç e tregon në mënyrë elokuente studimi i Evenett-Pisani, nuk ka ndodhur asgjë e tillë.

Kompanitë perëndimore, kanë vazhduar që t’i japin përparësi fitimeve mbi imperativin e zhvlerësimit të përpjekjeve luftarake të Putinit. Nga ana tjetër, kjo e vendos SHBA-në dhe partnerët e saj ndërkombëtarë përpara një dileme serioze.

Që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022, vendet perëndimore kanë përdorur një sërë sanksionesh të paprecedenta ndaj Moskës, si një përpjekje për ta detyruar qeverinë e Putinit të heqë dorë nga përpjekjet e saj për ta dominuar dhe nënshtruar Ukrainën.

Megjithatë, është gjithnjë e më e qartë se suksesi i kësaj përpjekjeje varet shumë nga sektori privat, që me të vërtetë e zvogëlon biznesin e tij me Federatën Ruse – dhe kompanitë përkatëse nuk duket se po luajnë top, të paktën deri më tani.

Që të gjitha këto fakte sugjerojnë se,që Uashingtoni dhe kryeqytetet perëndimore të rrisin më tej presionin mbi Moskën, ata duhet t’i detyrojnë kompanitë perëndimore të ndërpresin lidhjet e tyre me tregun rus. Përndryshe, do të vazhdojnë ta mbështesin ekonominë ruse dhe rrjedhimisht edhe luftën e agresionit të Kremlinit. /albeu.com

Shënim:Ilan Berman, nënkryetar i lartë i Këshillit Amerikan të Politikës së Jashtme me seli në Uashington, një organizatë jofitimprurëse që ofron analiza ekspertësh mbi politikën e jashtme të SHBA-së.