Në lidhje me deklaratat e sotme të kryeministri Edi Rama, i cili tha se biznesi i ndërtimit kryen evazion fiskal, ka reaguar Gazment Bardhi.
Bardhi shprehet se deklaratat e Ramës janë të vlefshme për SPAK, pasi vetë kryeministri ka lejuar ndërtuesit të kryejnë evazion fiskal.
“Edi Rama ka bërë sot një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Kryeministri e di që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.
Kush fsheh 5 mijë, 6 mijë, 7 mijë, 8 mijë euro m2 shitje? Nuk ka asnjë dyshim që ndërtuesit e tij të preferuar, të cilët, disa i ka shpallur investitorë strategjikë për resorte në bregdet, disa i pajis me leje për kulla. Në të gjitha rastet është firma e Edi Ramës.
Është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal”, shkruan Bardhi në platformën X.