Biznese, makina dhe llogari bankare, SPAK kërkon sekuestrimin e pasurive të ”bosit” nga Shijaku

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar verifikimet në lidhje me procedimin pasuror Nr.1/2020, në ngarkim të shtetasit Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe familjarëve të tij.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.03 datë 07.02.2020, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Bledar Seferi (alias Hakorja) dhe familjarëve të tij, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi shqiptar Bledar Seferi (alias Hakorja), ka pasur lidhje me shtetasin Giovanni Di Cosimo dhe pjestarë të tjerë të grupit kriminal në Itali e Shqiperi dhe është i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në përfundim të procesit të hetimit pasuror u arrit në konkluzionin se lidhur me pasuritë e sekuestruara ekzistojnë të gjitha kushtet e parashikuara në nenin 24 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për të vendosur konfiskimin e tyre. Në këto kushte Prokuroria e Posaçme me datë 15.06.2021, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurive të shtetasit Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe familjarëve të tij, si më poshtë:

1. Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës. Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv.

2. Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës. Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k.

3. Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.

4. Automjet i markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008

5. Automjet i markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014;

6. Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;

7. Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014;

8. Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;

9. Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.


Shtuar 15.06.2021 11:03