Bixhozi çon në pranga dy të rinj në Lezhë, çfarë i gjeti Policia

Dy administratorë subjektesh të ndryshme në Lezhë kanë rënë në prangat e Policisë së Shtetit pasi është zbuluar se organizonin lojëra fati të paligjshme.

Bëhet fjalë për Idriz Kaloçi 38 vjeç dhe Meqan Mlika, 27 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” , Lezhë.

Në cilësinë e provës materiale, ju sekuestruan 5 pajisje elektronike, 6 aparat celular dhe një shumë e caktuar parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni “Fati i lojërave”.

Organizonin lojëra fati nëpërmjet celularëve, vihen në pranga 2 administratorë subjektesh.

Sekuestrohen 5 pajisje elektronike për lojëra fati, 6 aparate celular dhe një shumë parash.

Në vijim të kontrolleve të pandërprera në të gjithë qarkun Lezhë, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë Lezhë kanë konstatuar në lagjen “Skënderbeg”, Lezhë, 2 subjekte (lokale) ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të  fatit.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Krimit Ekonomik e Financiar bënë arrestimin në flagrancë të administratorëve të subjekteve, shtetasve: Idriz Kaloçi 38 vjeç dhe Meqan Mlika, 27 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” , Lezhë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e subjekteve të tyre, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, me anë të aplikacioneve në celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun dhe në këtë kuadër Policia e Lezhës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit./albeu.com


Shtuar 31.08.2021 10:32