Bislimi dhe Petkoviç takohen të mërkurën në Bruksel

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha këshilltari i tij politik Klisman Kadiu për Radion Evropa e Lirë.

“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”, thuhet në përgjigje.

Ndrkohë, në një përgjigjë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, tha Stano.

Takimi ndërmjet dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.


Shtuar 18.07.2023 12:01